Ҫfarë pritet nga nga takimi i 7 shtatorit në Bruksel?

Analisti politik, Belul Beqaj, ka thënë se nga takimi, i cili do të mbahet me 7 shtator në Bruksel, mes presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nuk pret ndonjë zgjidhje konkrete ashtu siç po e presin ndërkombëtarët.

“Nisur nga fakti që këto biseda kanë qenë jo transparente dhe fakti tjetër se kemi një diskrepancë të madhe në mes atyre që kanë negociuar, po shihet që kanë qenë negociata të fshehura edhe të Aleksandar Vuçiqit, edhe të Hashim Thaçit”, ka thënë Beqaj për EkonomiaOnline.

“Fakti se kemi dallime të mëdha në mes negociatorëve dhe popullit apo shoqërisë civile dhe opozitës në Kosovë, por edhe në Serbi, veçmas Kisha Ortodokse, flet për një epilog të mundshëm, që do të thotë se këta do të dalin gjoja se para atyre të cilët i kanë konsideruar se mund ta zgjidhin problemin, si njerëz të cilët kanë bërë përpjekje maksimale për ta zgjidhur problemin”.

“Por, duke nisur nga fakti se nuk do ta kenë mbështetjen maksimale në kuadër të shteteve të veta, unë nuk mendoj se do të kemi ndonjë zgjidhje si po presin ndërkombëtarët, të cilët në këtë pikëpamje kanë bërë edhe një gabim fatal, për faktin se i kanë dhënë përparësi zgjidhjeve territoriale, të cilat kanë qenë shkak pse Ballkani trajtohet si fuqi baruti e nuk kanë bërë kërkesa për ndryshimin e politik bërësve, pra atyre negociatorëve, të cilët kanë dhënë premtime pa mbulesa”, thotë Beqaj.

Sipas Beqajt, do të shkaktohen trazira në Kosovë dhe Serbi si pasojë e vendimit që do të merret, pasi që asnjëra palë nuk do të përfundojë e kënaqur.

“Unë nuk pres që do të ndodhë diçka pozitive, por mund, si pasojë e kësaj situate, të shkaktohen trazira në Kosovë dhe Serbi”, ka thënë Beqaj.

Beqaj vlerëson se në 7 vjetët e dialogut kanë qenë vite të humbura, pasi që dialogu nisi për të zhvilluar bisedime në lidhje me çështjet teknike dhe po përfundon me kërkesa territoriale e etnike.

“Fakti se është zhvilluar dialogu rreth 7 vjet për gjoja se çështje teknike dhe i njëjti dialog ka pretendime që të përfundojë me kërkesa territoriale etnike, tregon se në pyetje kanë qenë 7 vjet të humbura”.

“Argumentet plotësuese i japin edhe pala shqiptare dhe serbe, pala shqiptare me faktin se si e ka trajtuar Gjuriqin, i cili ishte një nga negociatorët me atë skandalin medial, ndërsa pala serbe me faktin se si i ka frikësuar ish-anëtarët e FSK-së, duke u thënë se do dënohen me burg nëse do të mbesin në FSK”, shton Beqaj.

Beqaj thotë se qëllimet e negociatorëve të të dyjave vendeve, nuk ka qenë e sinqertë dhe shkëmbimi i territoreve apo korrigjimit të kufirit në mes dy vendeve, nuk është zgjidhja adekuate, pasi që dy popujt kanë humbur besimin tashmë tek kryesuesit e politik bërjes.

Sipas tij, zgjidhja e problemit bëhet vetëm me ndërrimin e dy pushteteve në Kosovë dhe Serbi.

“Pra, qëllimet e dy palëve nuk kanë qenë të sinqerta dhe po shihet me faktin se tash po flitet me pretekstin e eufemizmit për korrigjimin e kufijve për shkëmbim të territoreve dhe në pyetje nuk është nevoja që të bëhet as shkëmbimi i territoreve, as korrigjimi i territoreve për faktin se humbja e besimit të serbeve në Kosovë nuk ka qenë për shkak të territorit, as humbja e besimit të shqiptarëve në Preshevës, Bujanoc dhe Medvegje nuk ka qenë për shkak të territorit, por ka qenë për shkak të politik bërjes në Serbi dhe në Kosovë”.

Pra, definitivisht nuk duhet të flitet për korrigjim apo shkëmbim të territoreve, por duhet më në fund të thuhet qartë, pa ekuivokë se burim i zgjidhjes së problemit është ndërrimi i pushteteve në Kosovë dhe Serbi”, tha Beqaj.

SHPËRNDAJE