​“Bombë” e re për sekretarin e përgjithshëm të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut

Audio-bombë e re shpërtheu nga takimi në Kabinetin e sekretarit të përgjithshëm Dragi Rashkovski. Bisedën e regjistruar, këtë herë e publikoi portali “Ekonomski lider”, me pohimin se e ka marrë nga një informator.

Edhe këtë herë sërish dëgjohet biseda për procedurën e tenderit për furnizimin e pajisjes për radarë nga kompania italiane “Leonardo”.

Përveç zërit të Rashkovskit, siç pohon portali, dëgjohen edhe drejtori i atëhershëm teknik i M-NAV-it Kliment Çapunjovski dhe drejtori dhe kryetari i Këshillit drejtues të kompanisë Nikollçe Taseski.

Pohimet e portalit shpijnë në atë se sipas audio-regjistrimit, Rashkovski, ka qenë i vetëdijshëm se në atë moment nuk ka guxuar të bisedojë me përfaqësuesit e Leonardos dhe të bëhet procesverbal meqë kjo bie ndesh me rregullat e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, e cila është financuese e projektit.

Kryeministri Zoran Zaev sot nuk deshi të komentojë “bombën” e re për bashkëpunëtorin e tij të ngushtë. Tha se ende nuk e ka dëgjuar. Do të prononcohet pasi të njoftohet me momentet e reja.

SHPËRNDAJE