​Deputetët që nuk u rizgjodhën, u ndëshkuan nga votuesit

Zgjedhjet e 6 tetorit kanë lënë jashtë Kuvendit disa deputetë që kanë përfaqësuar partitë politike në dy ose më shumë legjislatura, duke përfshirë edhe figura qendrore të këtyre subjekteve politike.

Lëvizja Vetëvendosje nga rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të 6 tetorit doli partia fituese, por disa nga figurat qendrore të kësaj partie e që e kanë përfaqësuar në disa legjislatura kanë mbetur jashtë Kuvendit. Votat për të qenë deputetë nga kjo parti nuk kanë arritur t’i merrnin Xhelal Sveçla, Sami Kurteshi, Ismajl Kurteshi e Drita Millaku. Nga Lidhja Demokratike e Kosovës, jashtë Kuvendit ka mbetur Ismet Beqiri, i cili e ka përfaqësuar këtë parti në disa legjislatura.

Jashtë kanë mbetur edhe Imet Rrahmani, Naser Rugova, Mirjeta Kalludra dhe Fidan Rekaliu. Partia Demokratike e Kosovës në legjislaturën e shtatë nuk do ta ketë Xhavit Halitin, i cili përveç që ka qenë nënkryetar i Kuvendit ka qenë deputet në të gjitha legjislaturat. Nga kjo parti jashtë kanë mbetur edhe deputetët Andin Hoti, Fadil Beka, Hajdar Beqa, Luljeta Veselaj-Gutaj, Mexhide Mjaku-Topalli, Safete Hadërxhonaj dhe Xhevahire Izmaku.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës nuk do ta ketë në këtë legjislaturë Ahmet Isufin, i cili ka qenë shef i Grupit parlamentar të AAK-së në Kuvend. Votat për të qenë deputetë nga kjo parti nuk i kanë marrë as Blerim Kuçi, Gani Dreshaj dhe Muharrem Nitaj.

Nisma Socialdemokrate nëse arrin që të bëhet pjesë e Kuvendit të Kosovës, në këtë legjislaturë nuk do ta ketë shefin e grupit parlamentar Bilall Sherifin. Ndërsa as deputetët Zafir Berisha e Enver Hoti, nuk kanë arritur t’i marrin votat për të qenë pjesë e Kuvendit.Deputetët që në legjislaturën e gjashtë e kanë përfaqësuar Partinë Socialdemokrate dhe që garuan edhe në zgjedhjet e parakohshme të 6 tetorit, nuk kanë marrë vota për të qenë pjesë e Kuvendit.

Jashtë Parlamentit kanë mbetur Besa Baftiu, Dardan Molliqaj, Dardan Sejdiu, Driton Çaushi, Dukagjin Gorani, Fisnik Ismaili, Frashër Krasniqi, Salih Salihu, Shqipe Pantina dhe Visar Ymeri.Mosarritja e marrjes së votave për të qenë pjesë e Kuvendit të Kosovës e disa prej figurave kyçe të partive politike po shihet si ndëshkim nga qytetarët.Analisti politik Rasim Alija, thotë për KosovaPress, se qytetarët në një formë i kanë ndëshkuar të gjithë këta deputetë, derisa thotë se ata janë lodhur me figura që kanë qenë pjesë e Kuvendit për disa legjislatura.Njëjtë mendon edhe drejtoresha ekzekutive e GLPS-së, Arbëresha Loxha, e cila thotë për KosovaPress se qytetarët i kanë ndëshkuar qoftë për shkak të performancës së dobët apo aferave korruptive që disa prej tyre janë përfshirë.

Në bazë të rezultateve përfundimtare të Komisionit Qendror Zgjedhor, partia e parë ka dal Lëvizja Vetëvendosje me 26.16 përqind, e pasuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës me 24.46 përqind. Partia e tretë ka dal Partia Demokratike e Kosovës me 21.16 përqind, ndërsa koalicioni AAK-PSD me 11.48 përqind.

SHPËRNDAJE