​“Liria Akademike” denoncon Xhavit Rexhajn, anëtar i Agjencisë së Akreditimit

Organizata “Liria Akademike” e ka denoncuar njërin prej anëtarëve të Këshillit Shtetëror të Cilësisë se në mënyrë të jashtëligjshme ka akredituar një program të një kolegji privat.

Siç njofton kjo organizatë, denoncimi është bërë ndaj Xhavit Rexhaj, anëtar i KSHC-së, i cili ka doktoratë në fushën e pedagogjisë ndërsa ka mbrojtur programin e Anglishtes në kolegjin AAB.

Në denoncimin dërguar Kryeprokurorit të Shtetit Aleksander Lumezi, Kryeprokurorit të Prishtinës Imer Beka, Drejtorit të Policisë Rashit Qalaj, Kryeministrit Ramush Haradinaj, Ministrit të Arsimit Shyqiri Bytyqi, thuhet se Rexha në mënyrë të jashtëligjshme ka mbrotur programin jashtë fushës së tij të paraparë me Arsimin e Lartë dhe me Udhëzimin Administrativ për Akreditimin e Insitucioneve Arsimore.

Aty, është paralajmëruar se do të bëhen publike edhe shkelje të tjera, ku anëtarët e KSHC-së kanë votuar më shumë se një herë për një program për t’ia tërhequr akreditimin, kanë akredituar institucione private pa i respektuar procedurat ligjore, kanë lejuar regjistrimin e studentëve në mënyrë të jashtëligjshme, siç përmendet, në një program të Infermierisë, ku janë pranuar më shumë se dy mijë studentë.Letra e plotë që u është dërguar institucioneve:Anëtari i KShC-së, Rexhaj, jashtëligjshëm akrediton program të AAB-së.

Pjesa më e madhe e anëtarëve të KShC-së janë të lidhur ose të kushtëzuar ose të paguar nga Kolegjet Private për t’i rrënuar Universitetet Publike. Një pjesë e vendimeve të fundit të Agjencisë në mënyrë të paligjshme dhe me dyshime për korrupsion, janë marrë me vetëm 4 anëtarë, disa vendime të tjera janë marrë pasi është votuar 2-3 herë për to. Për aktivitetet kriminale, të jashtëligjshme, me dyshime për afera korruptive po e nisim me njërin prej anëtarëve të KShC-së, lidhjen e tij me Kolegje Private, z. Xhavit Rexhaj. I njëjti, jashtëligjshëm ka akredituar program të AAB-së.

Anëtari i Komisionit Shtetëror të Cilësisë, Xhavit Rexhaj, në mënyrë të jashtëligjshme ka ndihmuar Kolegjin AAB të akreditojë program të Gjuhës Angleze në nivelin Master. Rexhaj, i cili për një periudhë kishte kryer detyrën e zëvendësrektorit në Kolegjin AAB dhe është profesor i rregullt në të njëjtin institucion të Arsimit të Lartë, nuk ka doktoratë në Gjuhë Angleze por kjo nuk e ka penguar që të jetë njëri prej bartësve të programit dhe ta akreditojë programin duke shkelë Udhëzimin Administrativ për Akreditim. Rexhaj ka përfunduar studimet doktorale në Universitetin e Tiranës, në programin e Pedagogjisë por pavarësisht kësaj, emri i tij është në listën e bartësve të një fushe tjetër studimi.

Në kodin për fushat e studimit të Erasmusit, Pedagogjia është fusha nr. 5 kurse Gjuha Angleze është në fushën 9.

Në mbledhjen e 15 dhe 16 janarit, Këshilli Shtetëror i Cilësisë i Agjencisë së Kosovës për Akreditim kishte aprovuar 51 programe në Institucione Private të Arsimit të Lartë, duke përfshirë edhe Programin e Gjuhës Angleze në nivelin Master, ku Rexhaj ishte njëri nga bartësit e këtij programi. Vendimet e marra, KShC-ja i kishte mbështetur në kornizën ligjore e cila kërkon fushën specifike të studimeve si një nga kushtet për akreditim. “Për programet e studimit të cilat shpijnë deri tek marrja e një diplome shkencore Bachelor dhe Master, kërkesat për stafin akademik janë për çdo grup të studentëve (të përcaktuar sipas statuti të IAL) dhe për çdo 60 ECTS të programit duhet të ketë të paktën një (1) staf me marrëdhënie të rregullt të punës me titull PhD nga fusha e programit të studimit” thuhet në Nenin 26, paragrafi 5.3.4 në Udhëzimin Administrativ për Akreditim.

Në këtë rast, Rexhaj, që është edhe anëtarë i KShC-së, është njëri prej tre bartësve në programin e akredituar të Gjuhës Angleze në Master, pavarësisht se fusha e tij e programit të studimeve doktorale është Pedagogjia (shih fotot në vijim).

Sipas Udhëzimit Administrativ për Akreditim, Profesori i Pedagogjisë, Rexhaj do të duhej të kishte kryer doktoraturë në Filologji dhe në programin e Gjuhës Angleze për të qenë i fushës, siç e kërkon korniza ligjore në fuqi.

Doktoranti i Pedagogjisë, Xhavit Rexhaj, që kishte shprehur habi “se sa të pandjeshëm jemi bërë ndaj shkatërrimit të institucioneve tona” kur kritikonte ndërhyrjen e partive politike në zgjedhjen e Rektorit në Universitetin publik të Prizrenit, tashmë është përkujdesur që pikërisht institucioneve publike të arsimit të lartë t’iu mbyllen 68 programe duke i vënë këto institucione publike buzë shkatërrimit.

Në ditët në vazhdim do të ju njoftojmë me secilën shkelje tjetër të bërë nga anëtarët e KShC-së. Do të sqarojmë edhe se si një program në Infermieri në një Kolegj Privat pranon 2,700 studentë në mënyrë të kundërligjshme si pjesë e një grupi të organizuar kriminal.

SHPËRNDAJE