​Për ndërmarrjen Trepça kërkohet monitorim i veçantë nga Kuvendi

Në Komisionin për Ekonomi, Punësim, Tregti, Industri, Ndërmarrësi dhe Investime Strategjike është diskutuar lidhur me detyrat me prioritet dhe organizimin e punës së komisionit.

Kryetari i këtij komisioni, Endrit Shala tha se pas programit qeverisës duhet të krijohet edhe plani i punës së komisionit.

Shala tha se ky komision ka për mision edhe mbikëqyrjen e legjislacionit në disa fusha ekonomike, si dhe ka për obligim monitorimin e ndërmarrjeve publike dhe marrëdhënieve tregtare Kosovë-Shqipëri.

Ndërsa, anëtari i komisionit nga PDK, Ferat Shala tha se ky komision duhet të ketë një monitorim të veçantë për ndërmarrjen Trepça, sepse sipas tij, është e vetmja ndërmarrje minerare dhe për këtë duhet një fokus i shtuar.

Kurse, anëtari tjetër i këtij komisioni nga LVV, Hekuran Murati tha se të gjitha ndërmarrjet publike janë të rëndësishme, andaj edhe Telekomi është në një gjendje të rëndë, siç tha ai, buzë falimentimit dhe meriton monitorim të veçantë.

Anëtari i komisionit nga AAK, Pal Lekaj tha se nuk mund të ketë planifikim të veprimit në komisionin parlamentar, pasi që nuk ka asnjë informatë se si do të bëhet fuzionimi i ministrive nga qeveria e re.

Të gjithë anëtarët u pajtuan që Komisioni për Ekonomi të nisë punën për shqyrtimin e projektligjeve që janë me rëndësi për vendin dhe ekonominë e saj.

  • ETIKETIMET
  • 1
SHPËRNDAJE