​Pesë lojtarët më të mirë që kanë mbetur nën hije te klubet e tyre

Situata e Iscos në Real Madrid nuk është unike në futbollin evropian, pasi që ka shumë klube që i kanë lënë anash disa lojtarë që konsiderohet si ndër më të mirët.

Për arsye të ndryshme, lojtarë si Adrien Rabiot, James Rodriguez, Paulo Dybala, Riyad Mahrez dhe Mesut Ozili të gjithë kanë mbetur në stol, këtë sezon, transmeton Gazeta Express.

Adrien Rabiot – Paris Saint-Germain

Rasti i Rabiotit është i ndryshëm me atë të Iscos, pasi që nuk ishte vendimi i trajnerit Thomas Tuchel për ta larguar futbollistin nga formacioni i parë. PSG-ja vendosi ta dërgojë atë te ekipi i rezervistëve pasi mesfushori nuk pranoi ta rinovonte kontratën e tij me klubin.

“Unë kam marrëdhënie të mirë me Adrienin dhe ai nuk është pjesë e ekipit për momentin, por unë kurrë nuk do të hezitoj t’i kërkoj atij që ta negociojë këtë problem nëse është e nevojshme, pasi që stërvitet në mënyrë profesionale. Por, ky është një rast shumë i komplikuar”, ka thënë Tuchel.

Kontrata e mesfushorit francez me kampionin e Ligue 1 përfundon në qershor dhe ai pritet të largohet nga Parc des Princes si transferim i lirë.

James Rodriguez – Bayern Munich

Edhe pse James ka bërë paraqitje të mira në ndeshjet e fundit, me dy asiste në teri ndeshje, kolumbiani pritet të largohet nga Munihu verës. Ai është aktivizuar në ndeshje nga stoli plot dhjetë herë e madje edhe është zënë me trajnerin Niko Kovac.

Zënka mes tyre erdhi pasi James kishte luajtur vetëm 28 minuta në ndeshjen e Ligës së Kampionëve kundër Ajaxit. Kolumbiani e ka quajtur edhe drejtorit sportiv të klubit gjerman, Hasan Salihamidzic, “të rremë”, pasi nuk kishte luajtur për asnjë minutë kundër Mainzit në tetor.

Paulo Dybala – Juventus

Argjentinasi i ka filluar në stol 22 ndeshje të Serisë A këtë sezon. Në ndeshjen e fundit në shtëpi, kundër Parmës, ai shkoi drejt e në zhveshtore, kur e kuptoi se nuk do të luante për asnjë minutë.

“Ai e bëri një gabim, ka kërkuar falje dhe gjithçka përfundoi këtu”, tha trajneri Massimiliano Allegri kur u pyet për këtë veprim të argjentinasit.

Argjentinasi ishte lënë në stol edhe për ndeshjen kundër Sassuolos, ku Ronaldo e festoi golin e tij në stilin e Dybalas, veprim që ka ngjallur mjaft shumë debat që nga atëherë.

Riyad Mahrez – Manchester City

Lojtari më i shtrenjtë në historinë e Manchester Cityt ka kaluar nga një titullar në ekipin e Pep Guardiolës te një lojtar që luan vetëm në ndeshjet e kupës. Ish-sulmuesi anësor i Leicester Cityt i ka luajtur vetëm 24 minuta në shtatë ndeshjet e fundit të klubit të tij në Premierligës.

“Është një vendim taktik. E di potencialin e lojtarit dhe e di se ai do të jetë vendimtar deri në fund të sezonit”, tha Guardiola kur u pyet për mungesën e Mahrezit.

Mesut Ozil – Arsenal

Lojtari me pagën më të lartë në Arsenal e ka humbur besimin e Unai Emeryt dhe ai i ka luajtur vetëm 14 nga 26 ndeshjet e këtij sezoni të Premierligës. Sipas BBC-së, trajneri ia ka bërë të ditur mesfushorit se më e mirë për të do të ishte të largohet nga klubi.

Duke e ditur se do të ishte në bankën rezervë për ndeshjen kundër West Hamit, Ozili nuk pranoi të shkonte në stadium dhe sjellja e tij në muajt e fundit nuk i ka pëlqyer as bordit drejtues të Arsenalit. /Gazeta Express/

SHPËRNDAJE