​Putini ka një kërkesë të çuditshme për babain e Khabibit

Presidenti i Rusisë​, Vladimir Putin, i ka kërkuar babait të Khabib Nurmagomedovit të mos e ndëshkojë shumë ashpër të birin e tij për përleshjen që shkaktoi pas fitores kundër Conor McGregorit në Las Vegas.

Nurmagomedovi e ka mbrojtur titullin e tij të kampionit të peshave të lehta në artet e përziera marciale UFC. Pasi e detyroi McGregorin të dorëzohej në rundin e katërt, ai e kapërceu kafazin dhe e sulmoi ekipin e irlandezit, përcjell Gazeta Express.

Fillimisht ishte paralajmëruar se Komisioni Atletik i Nevadas mund t’ia merrte titullin e kampionit të peshave të lehta për shkak të përleshjes që ndodhi pas përfundimit të meçit. Megjithatë, ky vendim nuk është marrë ende.

Presidenti i UFC-së, Dana White, ka thënë se edhe nëse Komisioni Atletik i Nevadës vendosë që ta dënojë Khabibin, ata nuk duhet t’ia marrin rripin e tij.

Babai i Nurmagomedovit kishte thënë pas meçit se ai do ta dënonte të birin e tij edhe më ashpër se UFC, duke thënë: “E kam paralajmëruar atë. Për mua, disiplina është më e rëndësishmja”.

Por, në një takim mes këtyre të treve të mërkurën, Putini i kërkoi Adbulmanap Nurmagomedovit të mos e ndëshkonte birin e tij shumë ashpër për përleshjen që kishte ndodhur.

SHPËRNDAJE