​Ribery: Nuk i frikësohemi Liverpoolit

Franck Ribery insiston se Bayern Munichu nuk i frikësohet Liverpoolit, para përballjes mes këtyre të dyve në ndeshjen kthyese të 1/8 të finales së Ligës së Kampionëve.

Sezoni 2018/19 ka rezultuan të jetë më i vështirë sesa që ishte paramenduar për skuadrën e Niko Kovacit, mirëpo ata mund ta përfundojnë edhe këtë sezon me trofe.

Përkundër që nuk e filloi në mënyrën më të mirë të mundshme garën për titullin e Bundesligës, gjiganti gjerman e ka barazuar me pikë Dortmundin, që pozicionohet në vendin e parë në tabelë.

Kampioni në fuqi i Gjermanisë ka arritur, gjithashtu, të kualifikohet në çerekfinale në Kupës DFB-Pokal. Tani, Bayerni kërkon ta arrijë të njëjtën fazë edhe në Ligën e Kampionëve, pas barazimit 0-0 në ndeshjen e parë, kundër Liverpoolit.

“Ne po ndihemi optimistë dhe ndeshja do të zhvillohet në shtëpinë tonë. Liverpooli e ka një skuadër shumë të mirë, por ne jemi Bayerni. Besojmë në aftësitë tona dhe nuk i frikësohemi Liverpoolit”, ka thënë Ribery.

“Nëse luajmë bashkë dhe luftojmë, kemi mundësi të kalojnë në çerekfinale. E kemi një mundësi shumë të mirë”. /Gazeta Express/