​Shkruan Kadri Veseli: Kosova do të hyjë në OKB me kufijtë e saj të pavarësisë

03Debati publik i ditëve të fundit për dialogun e Kosovës me Serbinë, ka dalë jashtë kornizave të një debati që i ndihmon publikut, institucioneve dhe avancimit të proceseve të shtetit.

Me temat e ngritura prej këtij debati dhe me mënyrën se si ato po trajtohen, është krijuar një klimë e panevojshme tensioni, frike e pasigurie te qytetarët tanë.

Në të njëjtën kohë, Serbia, e interesuar në vazhdimësi për jostabilitet në Kosovë, me propagandën e saj politiko-mediale, duke përdorur teknikat e reja të “fake news”, vazhdon t’i kontribuojë kësaj klime dhe tendencave për të prodhuar tensione.

Efekti i synuar, gjithmonë i njëjtë: Të krijohet perceptimi ndërkombëtar për Kosovën si një vend jostabil e problematik, që nga dita në ditë pritet të shpërthejë dhe shpërbëhet!
Kur ndalesh e lexon opinionet plot alarm, që hidhen nëpër portale e media tjera sociale, të krijohet përshtypja se jemi në prag të një kataklizme globale, epiqendra e të cilës ndodhet në Kosovë.

Por, le të ndalemi e të rikujtojmë të gjithë se si nisi e tërë kjo.

Kur propozuam tryezë partish, me qëllimin që në mënyrë demokratike t’i bisedojmë të gjitha çështjet serioze të dialogut dhe jo vetëm, e pastaj, përmes konsensusit dhe në mënyrë institucionale e të argumentuar, t’u japim zgjidhjen më të mirë këtyre çështjeve – kjo iniciativë nuk u përmbush, shkaku i mosbashkëpunimit partiak, i motivuar krejtësisht nga agjendat e ngushta partiake, e aspak shtetërore.

Në një fazë tjetër, propozuam që konsensusi të ndërtohet në institucionin më të lartë të shtetit, në Kuvendin e Kosovës. Ofruam për diskutim edhe platformën me shkrim dhe arritje të konsensusit të përbashkët, por edhe kjo gjë nuk u mor parasysh.

Partitë politike opozitare në Kuvend nuk pranuan të jenë pjesë e përgjegjësisë shtetërore, pjesë e dialogut, i cili adreson interesat e shtetit, e jo të partive politike. Fatkeqësisht, sindromi i vjetër i bajraktarizmit primitiv po shfaq shenjat e tij në krejt këtë situatë. 

Sigurisht që përgjegjësinë kryesore për këtë e bartë LDK-ja, e cila, në njërën anë, poshtë e lartë, vetëpromovohet si parti institucionaliste, derisa, në anën tjetër, praktikisht vepron kundër frymës institucionale. Respektimi i kësaj fryme sot, më shumë se kurrë në këto dhjetë vite, është domosdoshmëri dhe obligim i të gjithë përfaqësuesve politikë në vend. 

Në këtë situatë të krijuar, nuk duhet habitur pse në mungesë të veprimit institucional, që prodhon konsensus e vendimmarrje shtetërore, debati është zhvendosur në virtualitetin e mediave sociale, e si rezultat, ky debat e ka humbur krejtësisht seriozitetin, për të përfunduar në një qarkullim të lirë pa doganë të teorive të konspiracionit dhe tërheqje vijash të reja në hartën politike të Kosovës e rajonit, sipas preferencave subjektive.

Por, në fund të fundit, meqë jetojmë në një shtet demokratik, duhet ta pranojmë si të mirëqenë faktin se mendimet e njerëzve janë të lira. Gjithmonë do të jenë të tilla në shoqërinë tonë.

Por, vendimet e shtetit të pavarur dhe sovran të Kosovës janë të qarta!

Në asnjë rrethanë, ndarja e Kosovës nuk do të jetë temë e Dialogut.

Kosova do të shkojë në Dialog, në mënyrë që finalja e tij ta prodhojë një marrëveshje ndërkombëtarisht obligative – e cila sjell njohjen e Kosovës, ulësen në OKB dhe përshpejtimin e rrugës së integrimeve euro-atlantike.

Kjo është agjendë e jona e përbashkët, me SHBA-në dhe BE-në.

Nuk do të ketë ndarje të Kosovës. As nuk do të diskutohet kjo çështje.

Ndarja e Kosovës është një nga pretendimet e vjetra të Serbisë, të cilat kanë marrë fund një herë e përgjithmonë në vitin 1999.

Kosova nuk ka asgjë për të dhënë.

Kosova është shtet i pavarur dhe sovran dhe integriteti territorial i saj është i pacenueshëm.

Kosova do të hyjë në OKB, NATO dhe BE me kufijtë e saj të pavarësisë.

SHPËRNDAJE