Frikë nga hakmarrja, vajza s’shkoi në shkollë

Nxënësja nga Prishtina nuk shkoi në shkollë për të marrë librezën, mësuesja thotë se ndodhi për shkak të hakmarrjes.

Para pak ditësh, nxënësit nëpër gjitha shkollat e Kosovës përfunduan vitin shkollor.

E si zakonisht, ata në fund të vitit u pajisën me librezat që dëshmojnë suksesin e tyre.

Por, për nxënësen H.H që vijon mësimet në shkollën  “Asim Vokshi’’ në Prishtinë, nuk pati një ceremoni pranimi të librezës.

Ajo nuk ishte në ditën e fundit të shkollës, dhe nga  mungesa e saj, e prek mësuesja e klasës.

‘’Sot nxënësit e shkollës “Asim Vokshi’’ në mënyrë solemne morën librezat e tyre. Mbase duhej të mburresha, me të arriturat e sukseset e tyre. Sidomos me nxënëset Shkurta Jasharin e Alma Ahmetin, që fituan 75%, e 50% të shkollimit. Por një librezë mbeti pezull në dorën time. Njëra nga nxënëset shembullore të klasës, për shkaqe hakmarrjeje nuk arritur të gëzojë arritjet e plota. Nuk përqafoi mësuesen në këtë fund vit. Nuk kisha imagjinuar këtë lloj ndarjeje, në shekullin 21. Urime shpirt, kudo që ndodhesh, qofsh e realizuar gjithmonë”.

Ekipi i televizionit, ka qëndruar dy ditë në shkollë për të marrë një qëndrim mbi arsyet pse nxënësja në fjalë nuk ka shkuar në shkollë atë ditë.

E drejtoria në shkollën ‘’Asim Vokshi’’ thotë se nuk mund të deklarohen për shkak se nuk janë njoftuar nga mësuesja për rastin.

E vetë mësuesja, ka thënë përmes telefonit se nuk dëshiron të flas sepse bëhet fjalë për një problem që prindi i nxënëses ka më fqinjët dhe nuk është detyrë e saj të ndërhyjë.

Edhe në shtëpinë e vajzës, për dy ditë nuk ka qëndruar askush.

Ekipit të televizionit, fqinjët i thanë se të njëjtit ka disa ditë që nuk janë parë në oborr

T7 mëson se konflikti kishte ndodhur për shkak të një rrugice të përbashkët afër me shtëpitë e tyre.

Por ata mohojnë kategorisht, se kanë kërcënuar kryefamiljarin dhe se konflikti nuk ka asnjë lidhje me fëmijët e tij.

Prapa kamerave, ata pohojnë se kanë pasur konflikt me babain e vajzës, D.H.

Ndërkohë, para më shumë se një viti pikërisht mes babait të vajzës dhe fqinjëve kishte ndodhur një plagosje me armë zjarri, për arsye prone.

SHPËRNDAJE