1 Maji, Ditë e punëtorëve, festë ritesh e zakonesh apo pikniqesh?!

Shkruan: Nasuf ALIU

Kjo ditë në të gjithë botën është quajtur dita ku punëtorët ngrihen në grevë për të drejtat e tyre si për rritje pagash, për një orar 8 orësh punë, për të identifikuar, avancuar dhe mbrojtur me Kushtetutë e Ligje; liritë, të drejtat, kushtet e punës, rrogën mesatare të garantuar, sigurinë në punë, pushimin ditor, javor, vjetor dhe pushimet e tjera të mundshme. Madje në shumë shtete kjo festë ka rezultuar me mbajtjen e protestave të shumta, paradave e demonstratave të cilat kanë humbur edhe jetëra njerëzish dhe pësime të sindikalistëve të cilët janë denuar me burg të përjetshëm, vetëm e vetëm që kjo ditë të arrijë senzibilizimin e nevojshëm.

E çka ndodh tek ne?

Përkundër se për çdo ditë ballafaqohemi me mosrespektimin e të drejtave të punëtorëve, kudo varfëri të skajshme si rezultat i papunësisë së madhe, mungesës së përspektivës së të rinjve pas diplomimit, përqindjës së vogël të femrave të punësuara(~12%), mungesës së sigurisë në punë të punëtorëve, mospërkrahje institucionale, humbje vlerash, korrupsion në çdo anë, nepotizëm dhe shumë aspekte tjera negative, ne vazhdojmë të pushojmë, relaksohemi dhe të festojmë.

Realisht këtë ditë do të duhej ta festonin një numër i vogël apo minimal i të punësuarëve në krahasim me papunësinë që mbretëron tek ne. Jemi shumë të bindur që ata të cilët kërkojnë punë ma me shumë dëshirë do ta festonin në ndonjë fabrikë të zhurmshme apo në ndonjë punishte të rëndë, me shpresë që fundi i muajit të sjellë një të mirë materiale se sa të festojnë nëpër parqe apo sheti të ndryshme, pasi këto të fundit veç se u janë bërë kotësi.

Urojmë që 1 Maji i ardhshëm të jetë “festë” për shumicën, urojmë që vendi ynë të ndryshojë me angazhimin njerëzve të denj që vështrojnë përtej horizontit.
Duhet të hedhim posht çdo kënaqësi të përkohshme, duhet luftuar për arritje vlerash dhe hudhje posht të çdo objektive të shkurtër.

Duhet ballafaqur me kundërpërgjigje ndaj atyre që sollen vendin tonë në mjerim të tejskajshëm dhe humbje shprese për të rinjët tanë.

E kur t’i arrijmë këto, atëherë kemi arsye të festojmë.

(Autori është kryetar i degës së AKR-s në Vushtrri)

SHPËRNDAJE