12 librat më të mirë për t’u lexuar në pranverë

Disa libra na lënë të lirë, kurse të tjerë na çlirojnë!” Ralph Waldo Emerson.

Stina më e mirë për të përjetuar këto ndjesi është pa dyshim pranvera! Lexoni një roman të bukur dhe rilindni përmes faqeve të një libri, rizgjoni veten ashtu si pranvera rizgjon natyrën. Living ka zgjedhur me shumë kujdes titujt më të bukur të librave për t’ju sjellë sadopak pranverë në shpirtin tuaj!

Fqinja, Alice Clayton | Botimet Living
Karolina Rejnolds ka marrë së fundmi me qira një apartament të ri, i cili do të bëhet shkak që ajo të njihet me Simon Parkerin, fqinjin që shemb muret. Lagje e re, aventura të reja… Përtej mureve të holla, dëgjohet shumë… Një romancë e bukur, e mbushur me skena sensuale, komike dhe personazhe interesante!

Binjakja e heshtur, S. K. Tremayne | Shtëpia Botuese Dituria
Sikur të mos mjaftonte vdekja e njërës prej vajzave të tyre binjake, jeta e Sarës dhe Engusit tronditet sërish nga një zbulim marramendës: ajo që ka vdekur është Lidia. . . apo Kirsti? Një triller i mrekullueshëm, ku gjithçka ndodh në familje.

Sekretet e një jete magjepsëse, Susan Meissner | Botimet Living
Emi Dauntri dhe motra e saj e vogël, Xhulia, përfundojnë në një fshat në jug të Anglisë, por lufta do t’i ndajë motrat në mënyrë mizore. . . Çfarë rrjedhe do të marrë jeta e tyre? Çfarë do të bëjnë motrat për të rigjetur njëra-tjetrën? Me një rrëfimtari të rrallë dhe një prozë të shkëlqyer, shkrimtarja Susan Meissner sjell një histori prekëse nga Lufta e Dytë Botërore. . .

Parajsa e humbur, Cees Noteboom Botimet Pegi
I cilësuar si një nga zërat më të lartë në korin e autorëve bashkëkohore, Cees Noteboom vjen me romanin “Parajsa e humbur”, një libër në kërkim të arsyes së jetës dhe kuptimit të asaj që përjetojmë në jetën tonë tokësore, një histori nëpërmjet së cilës preken në mënyrë të madhërishme të gjitha dramat e jetës.

Marrëzitë e liqenit, Andrea Vitali | Botimet Dudaj
Përmes një narracioni të gjallë dhe emocionues, ku personazhet luajnë role kryesore, shkrimtari Andrea Vitali na sjell ngjarjet më të rëndësishme të një vendi. Italia e viteve ’30 nën petkun e dashurisë dhe skandaleve të saj, virtyteve dhe veseve, karrierës dhe dinastive vjen për lexuesit në faqet e romanit “Marrëzitë e liqenit”.

Një familje thuajse e përsosur, Jane Shemilt | Shtëpia Botuese Dituria
Ata ishin familja e përsosur! Një çift i suksesshëm mjekësh me tre fëmijë, që jetonin në një pjesë idilike të Anglisë. Por gjithçka përmbyset kur vajza e tyre bukuroshe Naomi, largohet nga shtëpia pa lënë gjurmë. Cili prej tyre është përgjegjës për zhdukjen e saj? Mos e kaluara është kthyer dhe ka nxjerrë në sipërfaqe të fshehtat e Malkolmëve?

Mos e lufto pranverën, E. M. Forster Botimet Pegi
Një betejë romantike e ardhur nga letërsia ! Lusi do ta gjejë vetën përballë
dy romancave paralele si metaforë e betejës njerëzore midis konvencioneve
shoqërore dhe ndjenjave të vërteta. A do të mbijetojë heroina e Forster-it, me dëshirat dhe pasionet e saj, në atmosferën mbytëse, tipike të asaj kohe, por ende të pranishme edhe sot?

Sharlota, David Foenkinos Botimet Pegi
Jeta e Sharlotës, artistes që mundohet të jetë vetvetja, me pasion, delikatesë dhe një vëzhgim të imtësishëm të dhimbjeve të saj, vjen për lexuesit si një poezi e gjatë. E cilësuar nga kritika si Ana Frank e shekullit XX, Sharlotë Salomon, viktimë e tragjedive të Holokaustit, do të na kujtojë forcën e artit për të na shpëtuar nga terri brenda nesh.

Historia e një pulëbardhe dhe e maçokut që e mësoi të fluturonte, Luis Sepulveda Botimet Dudaj
Një përrallë e bukur për çdo fëmijë dhe një metaforë e fuqishme për çdo të rritur! Ky roman, i cili ka fituar zemrat e miliona lexuesve në të gjithë botën, vjen si dëshmi se diferencat e mëdha zhduken kur në mes është dashuria dhe mirëkuptimi.

Ne të dy si një roman, Paola Calvetti Botimet Living
Në epokën e teknologjisë moderne, Ema dhe Frederiku vendosin t’i shkruajnë letra njëri-tjetrit dhe të takohen vetëm një herë në vit në brigjet e Bretanjës. Letrat e tyre do të ndërthuren me një katalog të rrallë titujsh dhe personazhesh, një udhëzues i vyer librash për të mos u humbur, i cili do të na mësojë se dashuria e vërtetë triumfon në çdo kohë.

Vajza daneze David Ebershoff | Shtëpia Botuese Dituria
Një histori dashurie, rrugëtim drejt gjetjes së identitetit, vendosur në Parisin dhe Dresdenin e viteve ’20, Vajza daneze është romani më i mirë i penës së David Ebershoffit. Rrëfim delikat dhe ndodhi prekëse për Einarin dhe Gretën, dy artistë që i japin një kuptim të ri konceptit të dashurisë, martesës, vetes dhe tjetrit.

Fuqia. Rhonda Byrne | Botimet Dudaj
Është e pamundur të mos keni dëgjuar për Sekretin dhe Ligjin e Tërheqjes. Tani me Fuqia, Rhonda Byrne vazhdon punën e saj të thelluar, duke zbuluar të vetmen force madhore në universin tonë. Zbuloni fuqinë brenda vetes dhe transformoni jetën aktuale në atë që keni ëndërruar gjithmonë.

SHPËRNDAJE