17 familje bëhen me banesa, premtohen rreth 400 shtëpi për këtë vit

Në prag të përvjetorit të 11-të të Pavarësisë së Kosovës, Shoqata Bamirëse “Jetimët e Ballkanit” në një ceremoni solemne sot ka dorëzuar 17 banesa për familjet në nevojë, ndërsa kanë premtuar se gjatë këtij viti do të ndërtohen rreth katërqind sosh, si dhe do të ndërtohet një shtëpi e pleqve në Suharekë.

Themeluesi dhe kryetari i shoqatës, Halil Kastrati ka thënë se ndaj gjithë atyre donatorëve që kanë kontribuar që të arrihet ky rezultat dhe të përfitojnë familjet skamnore.

Sipas tij, qëllimi i vetëm është që të arrijnë t’i ndihmojnë deri te dera e fundit e nevojtarit.

“Po ndërtohen katërqind shtëpi, që kjo është e para dhe e dyta po ndërtohet një shtëpi e pleqve, ku kapaciteti i saj është 508 persona. Dhe atë duke falënderuar kryetarin e Suharekës që na ka dhënë parcelën dhe objektin i cili duhet të shtihen 1.5 milion euro për t’ia shti çelësin atij objekti… Qëllimi i vetëm ynë dhe e kam lutur Zotin që mos ma merr shpirtin për derisa të arrijmë te dera e fundit e nevojtarit”, ka thënë Kastrati.

Të pranishëm në këtë ceremoni ishin dhe shumë kryetarë komunash, ku i pari i Skenderajt, Bekim Jashari ka thënë se patriotizmi për të gjithë është kur e ndërtojnë dhe e zhvillojnë Kosovën, siç po bën Halil Kastrati.

Siç ka thënë ai, ka shumë raste të rënda në Kosovë, por populli ynë është aq human dhe atdhedashës, sa po bëhet bashkë për të rimëkëmbë njëri-tjetrin.

E deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi ka thënë se kjo ngjarje po dëshmon se siç dikur janë bërë bashkë me fituar kundër Serbisë, tash, sipas tij duhet të jemi bashkë të mundur varfërinë.

Ndërsa, ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi ka thurur lavde për Halil Kastratin, sipas tij, ai është dhe mësim dhe bekim për secilin prej nesh.

Nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Selim Pacolli ka thënë se kryeqyteti ka nevojë për ndihma të tilla, që sado pak t’iu ndihmohet familjeve që janë pa strehë.

Për deputetin e PDK-së, Mergim Lushtaku, puna dhe vepra e kësaj shoqate po bën që shumë familje të gëzohen dhe të bëhen me shtëpi në këto ditë feste.

Ndërsa, kryetari i komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj ka shtuar se këto iniciativa po i lehtësojnë punën atyre dhe se në historinë e këtij populli, Halil Kastrati do të jetë model për të gjithë. Lavde të mëdha për Halil Kastriatin pati dhe nga kryetari i Suharekës, Bali Muharremaj dhe ai i Vushtrrisë, Xhafer Tahiri.

Familjet përfituese do të jenë nga njëmbëdhjetë qytete të ndryshme, përfshirë Preshevën, Shkupin dhe Tiranën. Përndryshe, Shoqata ‘Jetimët e Ballkanit’ deri më tani ka ndërtuar mbi katërqind shtëpi për familjet në nevojë.

SHPËRNDAJE