21 vjetori i sulmit të dytë mbi Familjen Jashari

Kryetari i Komunës, Bekim Jashari, e ka kujtuar 21 vjetorin e sulmit të dytë mbi Familjen Jashari, në një paraqitje publike në llogarinë e tij në Facebook.

“21 vite më parë Familja Jashari u sulmua për herë të dytë brenda pak muajsh, nga forca të shumta policore serbe, të pozicionuara në ish-Fabrikën e Municionit, pak metra larg shtëpive të familjes.

Edhe përkundër një aksioni policor që kishte ndodhur në orët e hershme të mëngjesit të 22 janarit të vitit 1998, në një sulm tinëzar, ku mbeten të plagosura vajza e Rifatit Iliriana dhe Hamzës, Selvetja, meshkujt e familjes por edhe anëtarët tjerë, iu kishin përgjigjur në të njëjtën mënyrë krismave të armikut.

Pas kësaj ngjarjeje, Familja e komandantit legjendar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari, e kishte të qartë se forcat policore serbe herët a vonë do të ktheheshin përsëri në Prekaz.

Dhe, më 5, 6 dhe 7 mars të po atij viti, historia do të ndryshojë përgjithmonë.

Pjesa tjetër e historisë është lavdia e popullit shqiptar.

Qoftë i përjetshëm kujtimi për Familjen Jashari, heronjtë dhe martirët e Kosovës!”.

SHPËRNDAJE