Përkujtohet Masakra e Studimes

Sot në Studime të Poshtme të Vushtrrisë janë përkujtuar 116 civilë që u vranë nga forcat serbe 18 vite më parë.

Pos shumë familjarëve e qytetarëve të Komunës së Vushtrrisë, në këtë përkujtim morën pjesë edhe i pari i Vushtrris, Bajram Mulaku, Komandanti i FSK, Gjeneral Rrahman Rama,zv.Ministri i Bujqësisë, Kurtan Kajtazi, deputetë të Parlamentit të Kosovës dhe zyrtarë të lartë institucional e partiak,
Shpresa Rama, drejtorëshë për KRS tha se kanë kaluar 18 vjet dhe kujtimi për ta është ende i freskët, nuk i harron lehtë njeriu dhimbjet që ia dogjën shpirtin. Sikur të ishin të natyrshme këto humbje, do të pajtoheshim, por mënyra si na i morën nga krahu, është e pafalshme dhe dhimbja bëhet edhe më e madhe kur e dimë që ata që e shkaktuan janë të lirë dhe ende asnjëri nuk është dënuar.

“Është anakronike dhe absolutisht e papranueshme, kur kupton se më shumë janë dënuar shqiptarë se sa kriminelët serb për krime lufte! Institucionet tona shtetërore duhet që për asnjë çmim mos të lejojnë, dhe kurrë mos të pajtohen me përpjekjen e serbëve që ta barazojnë viktimën me agresorin. Ne jemi të vetëdijshëm se nuk është e letë, por na dhemb fakti që “drejtësia” deri më sot, fatkeqësisht, më shumë dënoi viktimën se sa dorasin! Kjo është për keqardhje dhe shumë e dhimbshme për familjarët e martirëve, dëshmorëve”, ka theksuar Rama.

Edhe familjarët e dëshmorëve u ankuan se ende asgjë nuk është zgjedhur dhe se vrasësit e të dashurve të tyre ende nuk kanë marrë ndonjë dënim. Nuk mjafton që vetem një kriminel të akuzohet për këtë krim kaq të madh, u tha në këtë Akademi përkujtimore.

Menjëherë pas përfundimit të ceremonisë pjesëmarrësit bënë homazhe tek lapidari i ngritur për viktimat e Studimes, kurse më herët homazhe dhe kurora lulesh u vunë edhe në varrezat e Dëshmorëve në fshatin Bletaj./Veriu.info