58 zëvendësministrat e qeverisë Haradinaj i kushtojnë buxhetit mbi 110 mijë euro në muaj

Është themeluar për inovacion por ministria e Besim Beqajt nuk ka as webfaqe në internet. Megjithëkëtë, kjo ministri ka zëvendësministër, që është emëruar të martën nga radhët e PDK-së.

Bujar Cakolli është vetëm një nga 58 zëvendësministrat e emëruar deri tash nga kryeministri Ramush Haradinaj, raporton KTV.

Lista e gjatë e atyre që janë rehatuar në këtë pozitë të lartë shtetërore do të vazhdojë.

Ende nuk është emëruar asnjë zëvendës i ministrave të Tregtisë, Drejtësisë, Administratës Publike e Infrastrukturës.

Bazuar në të dhënat online dhe disa ministri që kanë kthyer përgjigje në pyetjet e KTV-së, aktualisht më së shumti zëvendësministra ka ajo e Arsimit.

Muharrem Nitaj, Arbër Geci, Bajrush Sezairi, Mustafë Myrtaj e Heset Sahiti janë zëvendësit e Shyqiri Bytyqit të Nismës për Kosovën.

Sipas të dhënave të deklarimit të pasurisë, një zëvendësministër paguhet me rreth 1 mijë e 100 euro pagë bazë. 58 zëvendësministrat dhe nga 2 punëtorë administrativë të tyre u kushtojnë taksapaguesve të Kosovës më shumë se 110 mijë euro në muaj.

Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, rreth 18 për qind e popullsisë jeton në varfëri të plotë me vetëm 1.82 euro në ditë, kurse 5.2 për qind në varfëri ekstreme me vetëm 1.30 euro në ditë.

Shumë prej zëvendësministrave janë emëruar pas dështimeve që të zgjidhen kryetarë komunash, siç është rasti i Fatmir Gashit të AAK-së në Pejë, Faruk Nurës në Viti e Heset Sahitit të Nismës në Lipjan.

Haradinaj ka rreth 60 ditë në pozitën e kryeministrit, derisa qeveria e tij është karakterizuar me rritje në përgjithësi të pozitave të saj. Pos kësaj, Qeverisë së Kosovës i janë shtuar ministritë e zëvendëskryeministrat me ardhjen e Haradinajt në krye të saj.

281 është numri total i të punësuarve në kabinetin qeveritar të Ramush Haradinajt. Zyra e tij për media ka konfirmuar se emërimi i zv.ministrave nuk ka përfunduar dhe priten emërime të reja, siç është thënë në këtë përgjigje, në dikastere ku është e nevojshme.

Me një herë më shumë banorë se Kosova, shteti fqinj Shqipëria ka vetëm 13 ministri e një zëvendëskryeministre.

SHPËRNDAJE