8 mijë punonjës të shtetit me diploma tek universitetet private, shumica “fantome” (Raporti)

Mbi 8 mijë punonjës të administratës shtetërore janë diplomuar në universitetet private në Shqipëri, shumica e të cilëve janë mbyllur nga qeveria tre vite më parë, si piramida arsimore.

Ky është konstatimi i Komisionerit për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil, reflektuar në raportin e veprimtarisë vjetore për vitin 2017. Nga rreth 80 mijë punonjës që ka administrata shtetërore, KSHMC ka verifikuar 1554 raste nga ku kanë rezultuar se 10 për qind e tyre janë diplomuar në universitetet publike.

“Në lidhje me institucionin arsimor ku janë diplomuar, nga 1554 raste të verifikuara, ka rezultuar se, 1369 punonjës janë arsimuar në institucione të arsimit publik; 134 të tjerë në institucione të arsimit privat dhe 51 punonjës kanë kryer studimet jashtë vendit. Në këto shifra, 90% e zënë punonjësit që e kanë marrë edukimin arsimor në arsim publik dhe 10% në arsimin privat. Sipas këtyre të dhënave, rastet e arsimimit në institucionet publike, zënë numrin më të madh të kampionit studimor, në raport me arsimin privat”, thuhet në raportin që pritet të miratohet nga Kuvendi. (Shtyp mbi pamjen e mëposhtme dhe shikoje ⤵)

Ndërkohë konstatohet një trend në rritje i punonjësve që kanë kryer studimet në universitete jashtë vendit. “Një vit më parë ishin konstatuar 16 raste të tilla, ndërkohë që gjatë vitit 2017 u evidentuan 51 raste dhe vetëm në 1 rast nuk ishte ekuivalentuar diploma në Ministrinë e Arsimit Sportit dhe Rinisë, në përputhje me ligjin për arsimin e lartë”, vijon raporti.

Të punësuar pa arsim
Komisioneri për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil, nga kontrolli i 27 bashkive, ka konstatuar se gati gjysma e tyre kanë punësuar njerëz të paarsimuar. Disa nga bashkitë që kanë punësuar njerëz pa arsim janë Bashkia Lezhë, Bashkia Lushnje, Bashkia Sarandë, Bashkia Librazhd, Bashkia Kukës etj. “Në këto raste është urdhëruar njësia përgjegjëse të nxjerrë aktin e refuzimit të statusit të nëpunësit civil dhe të vendosë përfundimin e marrëdhënies së punësimit për këta punonjës, duke evidentuar faktin se ata nuk e përmbushin kriterin e nivelit arsimor për të qenë nëpunës civilë, në përputhje me kërkesat e ligjit nr. 152/2013, “Për nëpunësin civil”, i ndryshuar.

Pozicionet e punës të shpallen të lira, për t`u plotësuar më tej në përputhje me ligjin për nëpunësin civil, në koherencë me strukturën aktuale dhe nevojat e institucionit”, thuhet në raport. Disa bashki të tjera, për arsye të ndryshme, nuk kanë kanë kryer procedurat e ristrukturimit. “Nuk janë respektuar procedurat ligjore që rregullojnë procesin e ristrukturimit. Përmendim si shembull Bashkitë Prrenjas, Librazhd, Lezhë, Lushnjë, të cilat në të gjitha rastet që ka pasur ndryshim të strukturës, nuk kanë kryer procedurat e ristrukturimit. Në këto raste është urdhëruar njësia përgjegjëse që të drejtojë procesin për kryerjen e veprimeve përkatëse, për revokimin e gjithë akteve administrative që kanë dalë për ristrukturimin, në kundërshtim me ligjin dhe të fillojë procesin nga e para”, vijon raporti.

Bie numri i largimeve
Viti 2017 shënon numrin më të ulët të largimeve nga administrata publike, edhe pse gjatë këtij vitit, LSI doli në opozitë, për shkak të humbjes në zgjedhje dhe për rrjedhojë mund të priteshin largime të njerëzve të saj. Por, raporti konstaton të kundërtën. “Ashtu si duket edhe nga të dhënat e paraqitura, për vitin 2017, në krahasim me vitet e raportuara më parë, duket një rënie e ndjeshme e numrit të lirimeve nga shërbimi civil për shkak të ristrukturimit. Ky fenomen ka ndodhur pasi strukturat e njësive të vetëqeverisjes vendore, pas bashkimit me komunat, kanë pasur vetëm rritje të numrit të pozicioneve të shërbimit civil.

Kështu, në vitin 2015, që ka qenë edhe momenti i bashkimit, konstatojmë 226 raste të lirimit nga shërbimi civil për shkak të ristrukturimit të institucionit. Komisioneri këtë fakt, që ka të bëjë me uljen e numrit të rasteve të lirimit nga shërbimi civil për shkak të ristrukturimit, e vlerëson edhe si një pjekuri në drejtim të rritjes së sigurisë në punë të nëpunësve civilë dhe të zbatimit të parimit të një shërbimi civil të qëndrueshëm dhe profesional. Ndërkohë, trendi i aplikimit të dorëheqjes është i njëjtë, me vitet e mëparshme”, thuhet në raport.

Bashkitë me punonjës të paarsimuar

Bashkia Lezhë, punonjës të paarsimuar

Bashkia Lushnjë, punonjës të paarsimuar

Bashkia Sarandë, punonjës të paarsimuar

Bashkia Librazhd, punonjës të paarsimuar

Bashkia Kukës, punonjës të paarsimuar

Abuzimi, të gjithë punonjësit vlerësohen shumë mirë dhe mirë
Komisioneri për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil ka konstatuar një abuzim të madh në vlerësimin e punonjësve të administratës publike. Në 416 raste të vlerësuara, vetëm një punonjës është vlerësuar negativisht. “Duke analizuar përmbajtjen e procesit për vitin 2017, vihet re se, nga 416 raste të vlerësuara, 225 raste janë klasifikuar në nivelin “Shumë mirë” dhe 159 raste i përkasin nivelit të vlerësimit “Mirë”. Ndërkohë, konstatohen edhe 31 raste të vlerësimit “Kënaqshëm” dhe 1 rast i vlerësimit negativ “Jo kënaqshëm”.

Ajo që të bie në sy nga tabela krahasuese në këtë rast, është fakti se, në vitin për të cilin po raportohet, është bërë përpjekje për të përdorur të gjitha nivelet e vlerësimit, por përsëri konstatohet se vlerësimi në nivelin e lartë dhe të mesëm drejtues është rreth 98% të rasteve të vlerësuara”, thuhet në raport. Komisioneri kërkon që subjektet vlerësuese të jenë më objektivë në vlerësimet e tyre. “Për të sjellë procesin sa më afër objektivitetit, Komisioneri vijon të kërkojë nga subjektet vlerësuese që shënimet periodike të eprorit të drejtpërdrejtë për ecurinë e nëpunësit gjatë vitit të vlerësimit, të shoqërojnë formularin e vlerësimit, si dhe të ruhen në dosjen e personelit.

Në drejtim të përsosjes së procesit dhe të eliminimit të vlerësimeve subjektive, janë orientuar subjektet dhe posaçërisht njësitë e personelit, për të arritur disiplinimin e eprorëve, për të mbajtur shënime për arritjet e nëpunësve civilë gjatë vitit të vlerësimit, duke planifikuar trajnime në këtë fushë për nëpunësit e ngarkuar me vlerësimet, si dhe nëpërmjet kontrollit të eprorëve, për të mbikëqyrur procesin e vlerësimit, të shtrirë gjatë gjithë vitit kalendarik”, thuhet në raport./shqiptarja.com

Lexo më shumë në: http://www.gazetaexpress.com/lajme-nga-shqiperia/8-mije-punonjes-te-shtetit-me-diploma-tek-universitetet-private-shumica-fantazme-raporti-509210/?utm_source=referral&utm_medium=web&utm_campaign=copyright