90-vjeçarja nga fshati i Ramiz Lladrovcit që po u gjen çare të sëmurëve

Në mes të maleve të Çyçavicës dhe bjeshkëve të Drenicës në Kosovën qendrore gjendet fshati Gllanasell, i njohur për publikun, mes tjerash, për shkak se në të banon kryetari aktual i komunës së Drenasit, Rramiz Lladrovci. Por, Gllanasella, përveç për figurën e Lladrovcit, njihet edhe për një banore tjetër, zonjës rreth të 90’tave Halime Krasniqi, e cila tash e disa vite është bërë figurë e shpresës për shumë persona nga anembanë Kosovës, por edhe jashtë saj. Gazeta Express e vizitoi Gllanasellën, ku deri në 100 persona brenda një dite kërkojnë shërim për hallet e tyre nga kjo grua e moshuar.

Në temperatura të nxehta, pesë persona në mëngjesin e sotëm kishin marrë rrugë nga Maqedonia për në fshatin Gllanasellë të komunës së Drenasit. Tri gra mbërritën në këtë fshat rreth orës 13:00 të pasdites. Të tria këto, si dhe shumë vizitore të tjera, me shpresën se do të arrijnë që të takohen me plakën Halime Krasniqi, e cila i ka rreth 90 vjet.

————————————————————————————–
Kur ushtari i UÇK-së e zbulon se KFOR-i ka vendosur tela me rrymë në Urën e Ibrit për t’i penguar shqiptarët të kalojnë në veri:

————————————————————————————–


Halime Krasniqi
Te kjo grua të gjithë hallexhinjtë, e që janë të shumtë në numër, nisen me shpresën se do të gjejnë shërim për sëmundjet nga të cilat lëngojnë. Plaka 90-vjeçare Halime Krasniqi, në një bisedë për Gazetën Express, ka folur për dhuntinë të cilën ajo thotë se e ka.

Me ngjeshje, metodën të cilën ajo e përdor për të lehtësuar hallet shëndetësore të njerëzve që e vizitojnë, plaka thotë se merret qe 75 vite. Që kur i kishte pasur 14 vjeç ajo thotë se këtë zanat e mori nga nëna e saj.

“Unë këqyri për gjithçka. I ngjeshi gratë. Që kur kam qenë fëmijë, rreth 14 vjeçe e kam zbulu këtë dhunti dhe kam fillu me e praktiku. Nana ma ka mësu këtë punë. Unë gratë i këqyri në bark”, rrëfen ajo.

Me dy duart e saj ajo përditë u bënë masazhe grave. Madje thotë se ka arritur që me ngjeshje të zbulojë edhe tumore tek trupat e peronave të cilët i ka trajtuar.

“Unë në bark e shoh se çfarë sëmundjesh kanë. Unë këqyri për problemet me kërthizën, cistat, për ndonjë gjakderdhje, për problemet me mitrën. Unë veç sa ta preki pacientin në bark e di nëse ka tumor apo diçka tjetër”, thotë kjo grua.

Por nuk janë të vetmet këto probleme që kjo grua thotë se i zgjidh. Ajo tregon se me ngjeshje ka arritur që t’ia mundësojë shtatzëninë edhe shumë grave.

“E shoh nëse pacientja ka probleme me mitrën apo me vezoret. Menjëherë si ta shoh unë e di se ku i kanë problemet. I ngjesh dhe ka pas shumë raste dhe ka ende që gratë mbesin shtatzënë”, tregon Halimja.


Vendi ku punon ajo
E për gjithë këtë punë, zonja nga Gllanasella, thotë se përgatit edhe ilaçe të ndryshme me të cilat po i trajton pacientët.

“Unë mbaroj edhe ilaçe për sëmundje të ndryshme. E shoh njëherë pacientin edhe ia përshtati ilaçet. Ato i përgatis vetë me bimë e lule të ndryshme. Për dimër i teri e për verë i përdori ashtu të freskëta”, thotë ajo.

Këto nuk janë të vetmet rrëfime interesantë të kësaj plake. Gjatë periudhës së luftës, ajo tregon se u ka ndihmuar shumë grave që t’i lindin fëmijët e tyre, për shkak se, siç përkujton, në mes të malit gratë nuk kishin mundësi që të zbrisnin për në spitale.

“Unë në luftë i kam bë gratë operacion, ia kamë nxjerrë foshnjën 4 kilogramë e gjysmë. Ajo zonja në malet e Çiçavicës ishte shtatzënë, iu afrua lindja e nuk kish se kush me e operu. Unë asnjëherë nuk e kisha operu askënd, por deshi Zoti dhe e mora guximin tek ajo grua dhe e operova”, tregon tutje ajo.

Ekipi i Express u largua nga shtëpia e kësaj plake, duke i lënë aty me dhjetëra paciente të cilat prisnin me shpresë se me aftësitë e saj, të cilave tashmë u ka dalë zëri shumë më larg vendit ku jeton, do t’u ndihmojë t’i zgjidhin hallet./GazetaExpress/

SHPËRNDAJE