“99 për qind e bizneseve në gastronomi janë para bankrotimit”

Qeveria e Kosovës pas rritjes së rasteve me Covid-19 si dhe rritjes së numrit të të vdekurve si pasojë e infektimit me koronavirus dje më mbledhjen e mbajtur ka propozuar disa masa shtesë anti-Covid, në parandalim të përhapjes edhe më tej të rasteve.

Në këto masa parashihet edhe ndalimi i qarkullimit nga ora 21:00 deri në orën 05:00 të mëngjesit.

Sipas vendimit të ekzekutivit sektori i gastronomisë do të mbyllet nga ora 21:00 deri në orën 05:00 të mëngjesit.

Po ashtu edhe gjatë kohës së lejuar kafiteritë edhe restaurantet lejohen të punojnë vetëm në tarraca dhe me shërbimin merre me vete “Take Away”.

Por, nga Shoqata e Gastronomëve këto masa nuk po shihen edhe aq të mira.

Ardian Hoxha, në Info Magazine në Klan Kosova deklaroi se ky sektor ka qenë më i godituri gjatë pandemisë.

Hoxha tha se 99 për qind e bizneseve janë në prag të bankrotimit.

“Ne jemi si sektor i gastronomisë jemi edhe si qytetarë të vendit. Edhe ne e ndjejmë situatën e rënduar me pandeminë.Nuk është menaxhuar mirë me pandeminë. Një herë ishte shumë e kufizuar dhe një herë shumë të liruar. Edhe popullata nuk e ka menaxhuar mirë situatën, sepse ne nuk e dinim se si të veprojmë. Nëse kjo i vret të gjithë apo a mund të shpëtojmë”.

“Dhe kur e pamë se me karantinim mund të tejkalohet situata, atëherë filluam me u çliruar. Gastronomët nuk i kanë menaxhuar më së miri. Ky sektor ka qenë më i godituri. Shumë nga bizneset kanë qenë para falimentimit për shkak të pandemisë. Ka biznese që i ka punët mirë por që nuk kanë menaxhuar mirë me masat”.

“Por dikun 99 përqind e bizneseve janë para bankrotimit. Ka biznese që nuk jonë hapë fare dhe jonë në gjendje të rëndë. Dasmat dhe klubet e natës nuk janë lejuar fare të punojnë. Ka shumë punëtorë që nuk kanë marrë fare paga”.

Ai theksoi se njerëzit janë para kolapsit ekonomik.

“Njerëzit janë para kolapsit ekonomik. Njerëzit kanë obligime. Kanë kredi, kanë hipoteka. Ata mund të humbasin pasurinë. Qeveria në asnjë masë nuk ka dëgjuar”.

“Prej marsit deri më tash. A mendoni se e kanë luksin punëtorët me ndejë pa paga. Qiraxhinjtë kanë filluar ta kërkojnë qiranë, edhe kanë filluar të paguhen kreditë edhe taksat”.

Sipas tij qeveritarët dhe partitë politike po bien në kundërshtim me porositë e veta duke mos i respektuar masat anti-Covid.

“Manualet nuk mjaftojnë për të respektuar masat. Neve na thonë mos i pranoni brenda më shumë se 50 vetë e vet anëtarët e qeverisë mbajnë mbledhjet me nga 100 veta”.

“Masanej dalin edhe në protesta 5 mijë persona. Qe disa muaj qindra punëtorë janë papunë. Unë i kam 110 punëtorë që janë pa paga që disa muaj. Janë edhe disa klube të natës”.

SHPËRNDAJE