A do të ketë qeveri të pakicës? Flasin analistët

Në rast dështimi të marrëveshjes për bashkëqeverisje mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, si opsion po shihet një qeveri e pakicës. Mos arritja e marrëveshjes mes dy partive politike për analistët politik është një tregues se mund të ketë një qeveri të tillë, por që po kontestohet jetëgjatësia e saj.

Jeta Krasniqi nga KDI ka thënë për KosovaPress, se qeveria e pakicës është një opsion, por që sipas saj do të krijonte shumë probleme në funksionimin e punës ku përmend si mungesa e kuorumit apo mungesa e numrave për të shtyrë përpara ligje të ndryshme.

Ajo përmend mënyrën e funksionimit të Qeverisë Haradinaj, që sipas saj është dëshmi se si një qeveri që nuk i ka pasur numrat e mjaftueshme është përballur me probleme të shumta, deri te kushtëzimet e opozitës për të votuar ligjet.

“Nëse do të kemi një qeveri të pakicës, atëherë ajo mund të jetë një qeveri, e cila në çdo moment fatin apo fuqinë e saj do ta bazojë edhe në numrat, të cilët duhet të vijnë apo mbështetjen, e cila duhet të vijë nga opozita dhe jo gjithmonë ajo mbështetje do të jetë aty.

Kjo mund të ndikojë edhe në pamundësinë që qeveria të shtyjë përpara programin e saj legjislativ apo edhe nisma, të cilat do t’i ndërmarrin dhe ekziston gjithmonë mundësia që partitë, të cilat janë në Kuvend, partitë opozitare në çdo moment edhe mund të bëjnë një votë mosbesimi kundër qeverisë, ta rrëzojnë ose ta shantazhojnë.

Nuk është skenari më i favorshëm, por ekziston si skenar dhe patjetër që Vetëvendosja mund ta provojë dhe të shohë nëse do të ketë gatishmëri për t’u votuar si qeveri, se edhe nëse ka një qeveri të pakicës, e cila udhëhiqet vetëm nga VV, atëherë njëjtë duhet të votohet në Kuvend të Kosovës me 61 vota”, tha ajo.

Krasniqi thotë se nëse Vetëvendosja do ta provojë një qeveri të pakicës do të përballet me sfida qysh në ditën kur do të votohet ajo qeveri, e në rast se arrin të votohet sfidat do t’i shtohen gjatë punës në Kuvend.

Jetëgjatësia e një qeverie të tillë, sipas Krasniqit, do të jetë e varur gjithmonë nga opozita, e cila edhe mund të ndërmarrë nisma për ta rrëzuar qeverinë.

“Ajo do të varet absolutisht pastaj edhe nga gatishmëria e partive politike pasi partitë politike në opozitë do të kenë më shumë numra në Kuvend të Kosovës dhe do të munden që të marrin nisma për ta rrëzuar atë qeveri.

Ne kemi parë edhe në të kaluarën kur ka qenë qeveria e udhëhequr nga PDK së bashku me LDK, kur edhe ajo qeveri është rrëzuar, kur kryeministër ishte Isa Mustafa, me partnerin e qeverisë PDK me partitë opozitare për qëllime politike.

Gjithmonë, këto qëllime politike të partive politike mund të ekzistojnë aty kur është edhe një minorancë e votave në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Prandaj, edhe gjithmonë tentohet të shkohet me një shumicë më të konsoliduar në mënyrë që të mos kemi gjithmonë këto situatat politike”, tha Krasniqi.

Analisti politik Rasim Alija ka thënë për KosovaPress, se një qeveri e pakicës do të ishte fatale për Lëvizjen Vetëvendosje, pasi sipas tij nuk do të kishte cilësi të qeverisjes.

“Edhe LVV është e vetëdijshme apriori që një qeveri e pakicës do të ishte fatale për ta, mbi të gjitha cilësia e asaj qeverisje nuk garanton që ka produkte të caktuara ose produkte cilësore.

Në anën tjetër ajo qeveri që e sheh si opsion Lëvizja Vetëvendosje, pra qeverinë e pakicës, do të ishte qeveri jetëshkurtër, pra jo jetëgjatë, sepse e dimë çfarë probleme kanë qenë me qeverisjen e kaluar të Ramush Haradinaj, ku është varur në një votë ose dy stabiliteti i gjithë qeverisë.

Pra, qeveritë e tilla të pakicave apo të minorancës që janë të rrezikshme në dy aspekte, edhe në aspektin cilësor të tyre, mirëpo edhe në jetëgjatësinë e tyre.

Kështu, përfundimisht e shoh si lloj deklarimi të LVV-së gjuhë ose retorikë e përdorur karshi LDK-së, jo diçka që seriozisht e mendojnë dhe e shqyrton LVV opsionin e një qeverie të pakicës”, tha ai.

Alija thotë se jetëgjatësia e një qeverie të pakicës nuk do të ishte më e gjatë sesa një vit e gjysmë, ndërkohë që edhe programi i LVV-së do të mbetej i pazbatuar.

“Është rrezik jetëgjatësia e saj dhe në të gjitha opsionet nuk do të mund të ishte një qeveri, e cila do ta kalonte afatin prej 1 viti ose 1 vit e gjysmë qeverisje dhe këtë e dinë LVV, e dinë edhe subjektet tjera politike.

Do të ishte fatale për LVV-në edhe në kuptimin e forcimit së saj, edhe në kuptimin e mbajtjes së elektoralit të saj.

LVV e di apriori që mbi të gjitha varet edhe jetëgjatësia e qeverisë që do të ishte e shkurtër dhe mbi të gjitha do të ndikonte në cilësinë e qeverisjes nga LVV, sepse një qeveri e pakicës pothuajse është inekzistente dhe shumicën e ligjeve dhe projektligjeve nuk do të mund t’i kalonte në Kuvend.

Rrjedhimisht edhe programi i LVV do të mbetej i paplotësuar, i pazbatuar në masë të madhe”, thotë Alija.

Se mund të jetë opsion një qeveri e pakicës ditë më parë për media kishte thënë anëtari i kryesisë së LVV-së Xhelal Svecla, sipas të cilit, në rast të mos arritjes së marrëveshjes me LDK, qeveria e pakicës është një opsion.

Por, në një përgjigje me shkrim nga Zyra për media e Lëvizjes Vetëvendosje thuhet se nuk dëshirojnë të mendojnë alternativa tjera dhe se janë duke biseduar me LDK-në me të cilën shpresojnë të arrijnë marrëveshje.

“Propozimet e shumta të Lëvizjes Vetëvendosje, koncesionet e bëra që të arrihet marrëveshja në fakt janë përpjekjet tona maksimale që kemi bërë e që do të bëjmë ditëve në vijim që të arrijmë marrëveshje me LDK-në. Në këtë mënyrë, ne nuk duam të mendojmë për alternativa tjera dalëse.

Ne jemi duke biseduar me LDK-në dhe shpresojmë që të kemi një marrëveshje”, thuhet në përgjigjen e Zyrës për media të LVV-së.

Kujtojmë se zgjedhjet e parakohshme nacionale janë mbajtur më 6 tetor të vitit të kaluar dhe ende nuk ka një marrëveshje për koalicion mes LVV-së dhe LDK-së, ani pse kanë mbetur edhe 12 ditë kur mandatari Albin Kurti duhet të propozojë qeverinë.

SHPËRNDAJE