A do të rrëzohet Qeveria Hoti pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese?

Gjykata Kushtetuese gjatë të mërkurës ka hedhur poshtë ankesën e deputetit nga radhët e Partisë së Ashkalinjëve, Etem Arifi.

Arifi ishte drejtuar në Kushtetuese për të vlerësuar ligjshmërinë e vendimit të Gjykatës Supreme, pasi ai pretendon se iu ishte bërë padrejtë.

Mirëpo, vendimi i marrë nga Gjykata Kushtetuese nuk do të ndalë punën e Qeverisë Hoti.

Kjo pasi që Gjykata Kushtetuese duhet të jap verdiktin e saj lidhur me mandatin e deputetit, kërkesë kjo që e kishte dorëzuar në kushtetuese Vetëvendosja.

Kështu ka bërë të ditur për Gazetën Infokus, njohësi i çështjeve ligjore, Ehat Miftaraj.

“Lidhur me mandatin e tij si deputet, Gjykata Kushtetuese duhet të vendos sipas kërkesës së paraqitur nga deputetët e Kuvendit të Kosovës, e cila ende është në procedurë në Gjykatën Kushtetuese”, ka thënë Miftaraj.

Vetëvendosje Gjykatës Kushtetuese i ishte drejtuar për rastin e ligshmërisë deputetit Etem Arifi dhe votës së tij kur u zgjodh Qeveria Hoti.

Këtë VV e kishte bërë në muajin qershor e që deri më tani nuk ka pas ndonjë përgjigje ose vendim nga Gjykata Kushtetuese.

Ndërsa, sipas Miftarajt, deputeti tashmë në arrati, Arifi duhet që të përgjigjet organeve të drejtësisë, dhe se vendimi i Kushtetues nuk ka ndonjë pasojë tjetër juridike për të.

“Kërkesa për vlerësimin e kushtetutshmërisë së vendimit të Gjykatës Supreme lidhur me dënimin e shqiptuar të njëjtit nga gjykatat e shkallëve më të ultë nuk ka ndonjë pasojë juridike shtesë jashtë atyre që tanimë janë në zbatim e sipër ndaj deputetit Arifi. Edhe pa vendimin e Gjykatës Kushtetuese, deputeti Arifi e ka pasur dhe e ka për obligim të iu përgjigjet organeve të drejtësisë dhe të shkoj në vuajtje të dënimit”, ka thënë Miftaraj për Infokus.

Deputeti nga Partia e Ashkalinjve, është i dënuar për mashtrim me subvencione.

Ai dhe Bajram Gashi, drejtori i OJQ-së “Zëri i Ashkalinjve”, akuzohen për përvetësim të rreth 26 mijë eurove.

Deputeti nuk e ka humbur mandatin dhe ka vazhduar aktivitetin e tij, duke e votuar Qeverinë Hoti.

Përderisa sipas nenit 70 Kushtetutës së Kosovës, mandati i deputetit humbet nëse dënohet me vendim gjyqësor të formës së prerë për vepër penale me një ose më shumë vjet burgim./Gazeta Infokus/

SHPËRNDAJE