A do t’i ndajnë rrugët Nisma dhe AKR, pas hyrjes në Kuvend

Koalicioni Nisma-AKR do të vazhdojë të funksionojë si një edhe pas futjes në Kuvend.

Sot përfundoi rinumërimi në QNR dhe koalicioni Nisma-AKR është pak vota përmbi prag, rrjedhimisht pritet të jetë pjesë e legjislaturës së re. Ishte përfolur se AKR po mendon futjen në qeveri si pjesë e koalicionit VV-LDK, por këtë opsion si duket e ka mbyllur VV pasi eksponentë të saj e kanë quajtur AKR’në si pjesëtare shumë të rëndësishme të ish-koalicionit qeverisës PAN.

Tani Nisma Socialdemokrate dhe AKR do të jenë pjesë e një grupi parlamentar të përbashkët.

“Normalisht se do të vazhdojmë bashkëpunimin”, ka thënë ministri në detyrë i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, për Gazetën Express.

Deputetët e këtij grupi parlamentar pritet të jenë Fatmir Limaj, Behgjet Pacolli, Endrit Shala, Haxhi Shala, Albulena Balaj dhe Mirlinda Sopi.