A po i përdorë Isa Mustafa organet e partisë për ta ngurtësuar qëndrimin për Presidentin?

Në organin më të rëndësishëm të LDK’së sot Isa Mustafa do të shpalosë qëndrimin e tij, tashmë të njohur në opinion se me Albin Kurtin nuk nënshkruan marrëveshje pa u marrë vesh për presidentin. Për të njëjtën temë sot gjatë ditës kreu i VV’së, kritikoi Musta.

Isa Mustafa brenda një jave është siguruar që në të gjitha strukturat e partisë në të cilën ai udhëheqë të përcjellë qëndrimin se nuk do të heqin dorë nga pozita e presidentit që do të pasojë Hashim Thaçin.

Ky kriter që LDK’ja e ka vendosur në tavolinë të diskutimit qysh në takimin e parë me Albin Kurtin pas certifikimit të rezultateve do të përcillet sot edhe në organin më të lartë të partisë së Mustafës, në Këshill të Përgjithshëm.

Në këtë organ të partisë vendoset se me kë do të shkohet në koalicion, para apo pas zgjedhor, ashtu qysh e saktëson edhe statuti.

“Këshilli i Përgjithshëm është organi më i lartë i LDK-së në mes të dy Kuvendeve Zgjedhore. Vendos për koalicionet para dhe pas zgjedhore në nivel qendror”, thuhet në statut të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Statuti i parties

Mustafa brenda një jave ka mbledhur kryesinë e partisë, mbledhje që ndodhi gjatë së shtunës, derisa, u tha para mediave se atyre iu është bërë publik qëndrimi dhe arsyeja që po i lë pa marrëveshje me Vetëvendosjen.

Të njëjtin qëndrim ai ia përcjelli edhe kryetarëve të degëve pak ditë më parë, e atë do ta përcjellë edhe para 98 anëtarëve të Këshillit të Përgjithshëm.

Mustafa do të marr bekimin e Këshillit për koalicionin me VV’në, derisa, të njëjtin vendim pritet që përfundimisht t’ia prezantojë Albin Kurtin, për ta lënë në dorë të tij nëse do të pranojë apo jo. Lideri i LDK’së rrjedhimisht është i bindur në qëndrimet dhe kërkesat e tij, në rast bashkëpunimi.

Bash për këtë çështje, Kurti sot gjuajti disa kritika për Mustafën. Lideri i VV’së tha se para se të thirrej Këshilli i Përgjithshëm do të duhej fillimisht të arrihej marrëveshje përfundimtare në mes të partive, e tha se mbetet të shihet nëse thirrja e Këshillit do të betonojë marrëveshjen.

Kjo sipas Kurtit do të ndodhë nëse LDK’ja vazhdon insistimin për pozitën e të parit të shtetit.

“Unë me siguri që kam besuar se duhet të ketë takim këtë javë, mirëpo nuk dua të ndërhy te LDK-ja, e cila mësova se ka thirrur një mbledhje të këshillit të përgjithshëm si organi më i lartë. Ne në VV besojmë se thirrja e këshillit në subjektin tonë duhet të mbahet pas marrëveshjes, jo para marrëveshjes. LV-ja do ta mbaj mbledhjen e Këshillit pas marrëveshjes. Ngelet të shihet sot pasdite, se a është thirrur kjo mbledhje për t’i betonuar qëndrimet, apo për ta mundësuar marrëveshjen. Besoj se duhet të ketë takime, mirëpo nuk mund të ketë takime, përderisa thirren organet më të larta të subjektit. Besoj, shpresoj, uroj që ashtu qysh ka vendosur populli, ta kemi një qeveri të re nga opozita e deridjeshme që ta ç’kapim shtetin”, ka deklaruar Kurti.

Që nga e shtuna nuk është mbajtur asnjë takim në mes të Kurtit dhe Mustafës për të vendosur për koalicion. Diskutimet janë pezulluar pasi asnjë nga liderët nuk ka hequr dorë nga kriteret e tij. Mustafa kërkon postin e presidentit, post që nuk po pranon që t’ia jep VV’ja.
Derisa kjo mbetet tema e vetme për të cilën nuk janë marrë vesh, ndarja e ministrive mes tyre momentalisht mund të konsiderohet punë e kryer.

LDK-ja ka marrë MPB-në, Ministrinë e Arsimit, Bujqësisë, Mbrojtjes dhe atë të Infrastrukturës. LV ndërkaq MPJ, Financat, Zhvillimin Ekonomik dhe atë të Drejtësisë. Ministria e kulturës dhe për Ministria për komunitete e kthim iu mbeten pakicave.
Deri në marrëveshje për koalicion VV-së dhe LDK-së iu kanë mbetur edhe 8 ditë.

SHPËRNDAJE