Abdixhiku shfrytëzon fitoren e Kosovës për të goditur kundërshtarët politikë

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku ka shfrytëzuar fitoren e Kombëtares së Kosovës në futboll për të goditur kundërshtarët e tij politikë.

Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Abdixhiku ka shkruar se lojtarët e kombëtares së futbollit shumë herë janë ofenduar nga siç i quan ai “patriotë turbofolk”.

“Jo shumë larg nga sot djemtë e Kosovës ishin objekt fushate ofenduese nga ‘patriotë’ turbofolk që me naivitet sugjeronin se Kosova s’duhet ta ketë Kombëtaren vet. Se shteti ynë duhet lënë të poshtrohet nga secili kundërshtar që na vjen. Djemtë tanë i quanin tradhëtar e mercenarë; i shanin e fyenin veçse të njëjtit kishin vendosur të bënin gjënë më të madhe të mundshme për një shtet – ta përfaqësonin denjësisht Republikën e vet”, ka shkruar Abdixhiku.

Abdixhiku ndër tjera ka shkruar se “Turbopatriotët e mohuesit sot janë pakicë. S’ndihen më. Ata morën përgjigjen e drejtë nga djemtë më të zot të Republikës – në fushë dhe me kohë. Kombëtarja e Kosovës në futboll ngadalë por sigurtë po bëhet. Po bëhet madje e fortë. Por mbi të gjitha, refuzuesit e Kosovës përgjigjën më të mirë e marrin në secilin ballafaqim nga qytetarë tanë – në rreshta të pafund pritjeje, në emocionet e secilës shtëpi, në stadiume përplot edhe kur përballë kemi kundërshtarë si Malta e Ishujt Faroe”.

Kosova ka fituar sonte me rezultat 4 me 1 kundër Maltës.

SHPËRNDAJE