Abrashi tregon se a do të kandidojë për kryetar të Prishtinës

Arban Abrashi, Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe ish-kandidati për kryetar të Prishtinës nga kjo parti, i ftuar në emisionin Pressing, ka thënë se ai planifikon që të kandidojë përsëri për kryetar të Prishtinës si kandidat i LDK-së.

“Po patjetër që do të kandidoj. Presioni i të rinjve dhe të rejave nga elektorati i LDK-së, më bën që të kandidojë përsëri” tha Abrashi

Ai shtoi se në LDK-në e Prishtinës ai e ka përkrahjen më të madhe, duke shtuar se edhe të tjerët kanë mbështetje “por jo në këtë masë” sa ai.

Abrashi gjithashtu tha se zgjedhjet e kaluara komunale LDK-ja e ka humbur Prishtinën në tavolinë për shkak të shkeljeve që kanë ndodhur.

“E kemi humbur garën në tavolinë, ka pasur shumë shkelje atë vit për shkak të bilancit politik. Një parti politike atë ditë ka aranzhuar transport privat për votues, e qindra fletëvotime nuk dihet se nga kanë ardhur” tha ai, duke shtuar se duhet të pajtohemi me vendimin e gjykatave.

I pyetur se a do t’ia besojë LDK-ja atij edhe njëherë kandidaturën për kryetar të Prishtinës për shkak se iu mohua kandidatura për kryetar të degës, ai tha që kjo nuk duhet të shihet vetëm në kontekst të Prishtinës.

“Besoj që po. Kjo nuk duhet të shihet vetëm në kontekst të Prishtinës. Njerëzit më kanë shkruar shumë. Dhe unë jam pajtuar me këtë pezullim për shkak se hedhja e karrigeve e lë një lloj shije dyshimi. Kjo nuk ka të bëjë me Prishtinën por me LDK-në” tha Abrashi.

SHPËRNDAJE