Ademi tregon pse s’dorëhiqet, synon ta pastrojë emrin e tij

Kreu i FFK-së, Agim Ademi në Interaktiv të KTV-së ka thënë se nuk do të japë dorëheqje nga posti i presidentit të FFK-së përkundër dënimit që i është shqiptuar.

Ademi është dënuar për nëntë muaj burgim efektiv për kërcënim dhe sulm ndaj Dritëro Kadollit, duke e detyruar të njëjtin të bëjë veprime në dëm të pasurisë së tij, respektivisht të bëjnë përfitim të pa drejtë në shumën prej 30.000.00 euro, apo një veturë të tipit “BMW X5”, e cila veturë më pas pretendohej t’i dorëzohej Kryesuesit të Asamblesë Komunale të Prishtinës, Sami Hamiti, duke kryer veprën penale detyrimi në bashkëkryerje.

Ademi ka thënë se nuk e ka njohur më parë Kadollin dhe e ka takuar vetëm njëherë.

Ai insiston se veprimet për pastrimin e emrit të tij do t’i ndërmarrë pas pranimit të vendimit të Gjykatës.

“Dëshiroj që këtë vendim ta marr dhe të shoh ku është bazuar dënimi, sepse edhe njohësit e drejtësisë që e dinë rastin thonë se ky është rasti i parë që një dënim i tillë të merret më kësolloj veprash tentative. Do të vazhdoj me procedurat e tjera dhe të shtjerri çdo mundësi që të pastroj personalitetin tim. Pothuajse 60 vjet i bëra dhe nuk kam pasur asnjëherë një vepër të tillë e dua të pastroj emrin tim e të mos lë njollë për institucionin që drejtoj e familjen time”, ka thënë Ademi.

Ai thotë se është i gatshëm të merrë përgjegjësi nëse gjendet ndonjë telefonatë apo sms rreth këtyra akuzave.

“Jemi njerëz që jetojmë me llojlloj shoqërie dhe normalisht që jeta të takon me çdokënd. Me këtë njeri nuk kam pasur asnjë të keqe apo të mirë, pasi nuk e kam njohur asnjëherë. Njëherë jam takuar me Kadollin përmes një shokut. Më është ofruar një tokë për të blerë, por ajo ishte në emër të një serbi, prandaj jam tërhequr. Jam mbajtur një kohë nga Eulexi, pas kthimit tim nga Amerika, dhe më pas jam liruar dhe është vlerësuar si diçka skandaloze. Unë jam i pafajshëm nga ky rast”, ka thënë Ademi.

Ademi theksoi se s’do të japë dorëheqje nga kreu i FFK-së, pasi ka besimin e delegatëve dhe gjithashtu edhe të UEFA-s dhe FIFA-s.

“Mandatin mua më kanë dhënë delegatët e futbollit, dhe u bindem vullnetit të tyre. Jam munduar dhe besoj se besimin e tyre jam duke e kryer me sukses, e përkrahjen e tyre e mora edhe sot. Unë do të shkoj radhazi, do të eci rrugës së drejtësisë atë e lejon ligji dhe normat e Federatës. Unë do të qëndroj aty ku jam, dhe jam konsultuar për këto me UEFA-n dhe FIFA-n, sigurisht se janë të shqetësuar dhe ata janë të njoftuar për këto, por më kanë dhënë mbështetje. Do të shohim se kush do të jetë fajtor në fund”, ka thënë Ademi.

Ademi ka shtuar se UEFA mund ta kërkojë dorëheqjen e tij, por vetëm nëse e sheh se është bërë shkelje diku.

“Por fakti që s’ka të bëjë brenda futbollit dhe ka të bëjë për personalitetin tim. Unë do të marr vendimin, do të shoh të gjitha rrugët derisa ai të jetë i plotfuqishëm. Nëse vërtetohet kjo fajësi në shkallët e tjera, sigurisht se s’do t’iu vjen mirë, por në formën aktuale që është unë e kam mbështetjen e UEFA-s. Që nga zgjedhja ime asnjë veprim nuk kam bërë pa i njoftuar ata. Moralisht dorëheqjen nuk e kam menduar, pasi primare është të pastroj personalitetin tim”, ka thënë Ademi.

Ai ka theksuar veprimet e mëtutjeshme do t’i ndërmerr pas pranimit të vendimin dhe rastin do ta dërgojë edhe në Gjykatë të Apelit.

“Nuk kam ndërhyrë në drejtësi deri më tani dhe s’do ta bëj para se të pranoj vendimin, e të shoh se si është vendosur për të. Besoj në institucione derisa nuk vërtetohet ndryshe. Këtë do ta dërgoj në Gjykatën e Apelit. Nuk e kam pritur që do të vijë një vendim i tillë, pasi nuk ka pasur prova”, ka thënë mes tjerash Ademi në Interaktiv të KTV-së.

SHPËRNDAJE