“Afera Ademi”: Përgjimet telefonike – “ja kerrin ja paret”, “kerri shkon te Samia”

“Afera Ademi” – Ashtu siç kemi paralajmëruar dje, Gazeta Metro nga sot fillon publikimin e përgjimeve ndaj kryetarit të FFK’së, Agim Ademit, Muharrem Ramës, Besnik Kadollit dhe ish Kryesuesit të Asamblesë Komunale të Prishtinës nga radhët e LDK’së, Sami Hamitit.

Përgjimet e kryera nga EULEX ndaj këtyre katër personave janë bërë për shkak se Agim Ademi dhe Muharrem Rama gjatë periudhës kohore 12  korrik – 12 shtator 2012, me qëllim të përfitimit material e kishin kërcënuar dhe sulmuar viktimën Dritëro Kadollin, duke e detyruar të njëjtin të bëjë veprime në dëm të pasurisë së tij, respektivisht të bëjnë përfitim të pa drejtë në shumën prej 30.000.00 euro, apo një veturë të tipit “BMW X5”, e cila veturë më pas pretendohej t’i dorëzohej Kryesuesit të Asamblesë Komunale të Prishtinës, Sami Hamiti, duke kryer veprën penale detyrimi në bashkëkryerje.

DOSJA 1:

Historia e “PARCELËS” fillon me 6 korrik të vitit 2012, ku viktima Besnik Kadolli e thërret në telefon Muharrem Ramën dhe takohen për t’i treguar se ai posedon një pronë të patundshme në lagjen “Sofalia”, por problemi është ajo tokë njihet si “zonë e gjelbëruar”.

Muharrem Rama i thotë pas takimit se për këtë pronë do ta gjej dikë për ta ndryshuar statutin e asaj nga “zonë e gjelbëruar” në “zonë ndërtimore”.

Vetëm pas një ore që u takuan Kadolli me Ramën, ky i fundit thërret në telefon viktimën dhe i propozon që të takohen në zyrën e Agim Ademit. Pas kësaj Ademi takohet me Kadollin dhe i tregon për shqetësimin që ka me pronën e tij, Ademi merr telefonin dhe telefonon Sami Hamitin, atëkohë Kryesues i Asamblesë Komunale të Prishtinës.

Sami Hamiti pajtohet që të takohen me Agim Ademin në ndërtesën e Komunës së Prishtinës për t’ia treguar problemin dhe planin që kanë.

Pas kësaj, me 6 korrik Muharrem Rama kishte shkuar në zyrën e viktimës Kadolli dhe i ka treguar se Sami Hamiti ka bërë një Propozim Vendim të Asamblesë Komunale të Prishtinës me titullin “Vendim për të fillua ndryshimin dhe plotësimin e planit rregullativ urbanistik për lagjen “Sofalia””

Por, e gjithë ky ndryshim Muharrem Rama i kishte thënë viktimës Kadolli se do bëhej vetëm nëse Kadolli do t’i paguante një BMW X5  ose 30 mijë euro, Kryesuesit të Asamblesë Komunale të Prishtinës nga radhët e LDK’së, Sami Hamiti.

E gjithë kjo “dhuratë” për Sami Hamitin do duhej të bëhej përmes Agim Ademit. Me këtë ishte pajtuar Kadolli, por shumën apo veturën do ta bënte pas vendimit nga Komuna e Prishtinës.

Por, këtu fillojnë problemet mes Kadollit, Agim Ademit dhe Muharrem Ramës.

Me 12 korrik, Asambleja Komunale e Prishtinës kishte miratuar propozimin e Hamitit, mirëpo statusi tokës nuk kishte ndryshuar dhe Kadolli i prishë planet e Ademit dhe Ramës, ai më nuk dëshiron të paguante asgjë për Hamitin.

Nga këtu fillojnë kërcënimet nga Agim Ademi dhe Muharrem Rama përmes thirrjeve telefonike dhe mesazheve ndaj Dritëro Kadollit, krejt kjo për t’ia dhuruar Samit Hamiti të LDK’së, 30 mijë euro apo BMW X5.

Më poshtë ju sjellim përgjimet e EULEX’it, ku Ademi dhe Rama e vërejnë se janë duke u përgjuar dhe se plani i tyre nuk po shkon ashtu siç e kishin planifikuar.

SHIKONI MË POSHTË PËRGJIMET E EULEX:

 

Kujtojmë se Kryetari i FFK, Agim Ademi, me 5 korrik të vitit të kaluar është dënuar me nëntë muaj burgim efektiv, pasi është shpallur fajtor për njërën nga dy veprat penale me të cilat ngarkohej.Ndërsa, i akuzuari tjetër në këtë rast, Muharrem Rama është dënuar me një vit burgim për veprën penale të detyrimit në tentativë.

Mirëpo, me 25 gusht të këtij viti Gjykata Supreme e ka kthyer në rigjykim në shkallën e parë, lëndën e kryetarit të Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademi dhe të akuzuarit tjetër, Muharrem Rama.