Agim Ademi viziton 15 vende të ndryshme, kur po bëhet thirrje të qëndrohet në shtëpi

Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka vazhduar me vizita edhe të shtunën.

“Vizitat në terren”, ashtu si i vlerëson FFK-ja, i pari i futbollit kosovar i ka nisur të enjten. Për tri ditë Ademi ka vizituar 15 vende të ndryshme, ndërsa në disa prej vendeve ka zhvilluar më tepër se nga një takim, raporton Koha.net.

Të enjten kryetari i FFK-së vizitoi Vushtrrinë, Mitrovicën, Skënderajn, Lipjanin, Dobrajën. Të premten Agim Ademi vizitoi Ferizajn, fshatin Rakaj të Ferizajt, Vitinë, Gjilanin, Kamenicën e Pozheranin.

Të shtunën Ademi fillimisht ishte në Lidhjen Rajonale të Prishtinës. Më pas vizitoi Flamurtarin e Prishtinës dhe KEK-un e Obiliqit. FFK-ja lëshoj ndërkohë njoftimin për vizitat e Ademit në klubet Fushë Kosova dhe Feronikeli të Drenasit.

“Presidenti Agim Ademi në shoqëri të anëtarit të Komitetit Ekzekutiv, Ismajl Ajeti, vizitat në terren i ka vazhduar te Fushë Kosova dhe Feronikeli.

Edhe gjatë këtyre vizitave kreu i FFK-së ka bashkëbiseduar me drejtuesit e klubeve për mënyrën se si po e përballojnë këtë periudhë pas pezullimit të aktiviteteve si pasojë e koronavirusit, për shëndetin e futbollistëve dhe punëtorëve sportivë si dhe ka shprehur gatishmërinë e FFK-së për ndihmë.

Presidenti ka bërë me dije se janë duke ndjekur me vëmendje situatën me koronavirusin COVID – 19 dhe varësisht prej rrethanave do të merren edhe masat dhe veprimet e ardhshme nga FFK-ja sa i përket mënyrës së vazhdimit të kampionatit.

Ai shprehu bindjen se shumë shpejtë do të kalohet edhe kjo sfidë dhe futbolli do t’i kthehet normalitetit dhe garës në fushën e gjelbër”, thuhet në njoftimin e FFK-së.

Vizita tjera të Ademi mund të ketë në vazhdim, ndërkohë që në shumicën e vizitave të deritashme nuk është respektuar rekomandimi për të mbajtur distancën mes njerëzve, në tentim për të ndaluar përhapjen e koronavirusit.

Në vend janë shtuar thirrjet që të evitohen në maksimum lëvizjet. Është vendosur, ndër të tjera, të mbyllen parqet.

Mikrobiologu Lul Raka ka kërkuar të premten nga qytetarët që të jenë shumë të disiplinuar.

“Po futemi në dy javët vendimtare për jetët e më të dashurve tanë. Pasi që nuk kemi as vaksinë e as ilaç kundër koronavirusit, arma e vetme mbetet disiplina dhe kujdesi. Ju lutem rrini në shtëpi”, ka shkruar Raka.

SHPËRNDAJE