Agim Bahtiri merr mbështetje të fuqishme në Kçiq dhe Koshtovë

Nënkryetari i AKR-së dhe kandidati për deputet në Kuvendin e Kosovës, Agim Bahtiri, ka marrë mbështetje të fuqishme në takimet e mbajtura me banorët e Koshtovës dhe Kçiqit, të cilët u zotuan se do t’i japin mbështetje të madhe më 11 qershor.

Gjatë takimit me banorët e Koshtovës, Bahtiri tha se qytetarët e Kosovës janë të pakënaqur me gjendjen aktuale në vend dhe pas një jave do t’i dërgojnë në shtëpi ata që keqqeverisën prej pas luftës.

“Pas konstituimit të Qeverisë së re nga koalicioni AKR-LDK, ligji do të merret me ata që  e shkatërruan Kosovën. Me koalicionin e shpresës AKR-LDK do të hiqet korrupsioni në gjithë Kosovën, ashtu siç është hequr në Mitrovicë pas ardhjes time në krye të Mitrovicës”, tha Bahtiri para qytetarëve të Koshtovës.

Pritje madhështore për Agim Bahtirin është organizuar edhe në fshatin Kçiq, ku ai kërkoi nga banorët që të votohet koalicioni AKR-LDK, sepse është mundësia e vetme për largimin e njerëzve të korruptuar nga pushteti.

“Duke i votuar kandidatët e koalicionit AKR-LDK, ju do të na mundësoni ta largojmë ShIK-un nga institucionet qendrore, ashtu siç e kemi larguar së bashku në Mitrovicë në vitin 2013”, tha Bahtiri, i cili mori përkrahjen e banorëve të Kçiqit për zgjedhjet e 11 qershorit.

SHPËRNDAJE