Agim Bahtiri thotë se me peticion do ta bashkojë Mitrovicën

Kreu i Mitrovicës, Agim Bahtiri beson se me peticion do ta bashkojë Mitrovicën.

Kryetari i Mitrovicës Jugore, Agim Bahtiri, në një konferencë për media të mbajtur sot, ka deklaruar se së bashku me qytetarët e kësaj komune nga e hëna do të nisin mbledhjen e nënshkrimeve në kuadër të iniciativës së tij për bashkimin e Mitrovicës.

“Ne së bashku me qytetarët sot kemi marrë vendim që prej të hënës të nisë peticioni i nënshkrimit për shfuqizimin e vendimit të marrë për ndarjen e Mitrovicës dhe të jetë një Mitrovicë e përbashkët e qytetarëve pa dallim nacionaliteti”, tha Bahtiri.

Ai ka shtuar se: “Duke parë situatën në veri jemi shumë të vetëdijshëm se mund të jetë një qasje e përplasjeve të ndryshme me mbledhjen e përbashkët në Bruksel ne si qytet i Mitrovicës kemi marr vendim që të fillojë peticioni i gjithë qytetarëve për t`iu drejtuar Kuvendit të Republikës së Kosovës për shfuqizimin e vendimit të marr në vitin 2007 dhe të fuqizohet vendimi i mëparshëm i Kuvendit Komunal të Mitrovicës, si Mitrovicë e përbashkët me territorin që ka qenë më parë”.

Në lidhjen me vendimin e kryeministrit se kërkesa e Kuvendit Komunal nuk është legjitime Bahtiri ka thënë se fatkeqësisht MAPL e ka shpallur të pavlefshëm vendimin e Kuvendit Komunal dhe sipas tij rruga e vetëm u ka mbetur mbledhja e nënshkrimeve.

“Haradinaj është mik imi dhe në qoftë se e ka marr për bazë se ne nuk kemi të drejt që t`iu drejtohemi institucioneve të Kosovës, atëherë është gabim. Ne të drejtën e kemi që si organ komunal t`i drejtohemi çdo institucioni me kërkesat tona, por fatkeqësisht që Ministria e Pushtetit Lokal e ka shpallur të pavlefshëm për arsye se ministri është serb dhe këtë e ka bërë për arsye politike. Tani ne kemi të drejtën që me peticion t`i drejtohemi drejtpërdrejt Kuvendit të Kosovës dhe do ta shihni se kjo iniciativë do të jetë e realizueshme. Unë e di çka flas, di çka kërkoj dhe kjo do të bëhet”, ka thënë Bahtiri.
Ai ka shtuar se kjo iniciativë e tij do ta gjejë përkrahen dhe se Mitrovica sipas tij do të bëhet një qytet i vetëm.

“Unë mendoj se kjo do të përkrahet, ndërsa për hapat e mëtutjeshëm do të vendosim pasi të marrim përgjigje”, ka thënë ai.

Kurse lidhur me pajtueshmërinë e popullatës serbe në veri Bahtiri ka thënë se mendon që qytetarët serb janë lodhur nga grupet e caktuara dhe ata janë duke pritur që të lirohen sa më parë nga ndikimi i këtyre grupeve dhe një herë e përgjithmonë të nis puna institucionale duke ju dhënë shërbime të gjithë qytetarëve pa dallim.

“Shpresoj që një nënshkrim të tillë do ta bëjnë edhe ata (serbët)”, ka deklaruar i pari i Komunës së Mitrovicës Jugore Agim Bahtiri.

  • ETIKETIMET
  • 1
SHPËRNDAJE