Ahmeti kërkon që Thaçi e Vuçiq të mos takohen më

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka thënë se nuk duhet të ketë takim të katërt ndërmjet presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe atij serb, Aleksandar Vuçiq.

Ahmeti ka thënë se takimi i djeshëm Thaçi-Vuçiq ishte i treti me radhë pa mandat, pa legjitimitet dhe pa platformë, duke sugjeruar që urgjentisht të arrihet një marrëveshje për platformën dhe ekipin e Kosovës për dialogun me Serbinë.

Ky është postimi i tij:

Takimi i tretë në mes të Thaqit dhe Vuqiqit është takimi i tretë pa mandat dhe pa platformë. Pra edhe ky takim ishte pa legjitimitet ligjor e politik. Për më shumë është takimi i tretë publik i Thaqit pa transparence e raportim.

Kuvendi i Kosovës duhet që urgjentisht të arrijë marrëveshje për rrugën përpara. Kosova duhet ta draftojë platformen dhe ta mandatojë ekipin gjithëpërfshirës shtetëror në këtë process tepër sfidues e të rendësishëm për Kosovën.

Në kohën kur Serbia po bëhet gjithnjë e më agresive, e Thaqi gjithnjë më jolegjitim e jotransparent, duhet urgjentisht ta vendosim procesin në binarë demokratik e institucional.

Takim të katërt të tillë nuk duhet të ketë!

SHPËRNDAJE