Ahmeti tregon pse Dardan Molliqaj nuk mori poste udhëheqëse në PSD

Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Shpend Ahmeti në një intervistë ekskluzive për Periskopin ka folur për mosmarrjen e ndonjë posti të lartë brenda partisë së re nga deputeti Dardan Molliqaj.

Ahmeti ka thënë se ai si kryetar i partisë nuk ka marrë vendime individuale se kush do të ketë poste brenda partisë më të re në vend.

Ai ka thënë se për Molliqaj njëherë është mirë që të vazhdojë të ushtrojë detyrën si deputet dhe të ndihmoj më shumë në organizimin e çështjeve të partisë.

Sipas tij, Molliqaj padrejtësisht ka marrë barrën e krejt asaj që ndodhi në Lëvizjen Vetëvendosje.

“Nuk kam marrë vendime individualisht se kush do të ketë poste. Dardan Molliqaj në mënyrë të padrejtë e ka marrë barrën të krejt kësaj që ka ndodh në Lëvizje. Nëse jo ai vetë, ia kanë ngjit të tjerët. Ashtu siç mendoj se Aida Dërguti e ka paguar faturën e trefishtë të një gabimi, që vetë e ka pranuar se e ka bërë. E kemi diskutuar me grupin se kush për çka do të kandidojë. Më së shumti u diskutua për kryetar, pastaj edhe për nënkryetar e sekretar. Ende nuk e kemi zgjedhur kryesinë. Për Dardan Molliqaj është mirë që për një periudhë të kryej detyrë si deputet dhe të ndihmoj më shumë në organizim. Këtë ai e ka kërku vetë, edhe ne ia kemi pranuar. Ai do të angazhohet në ndihmë të subjektit politik”, ka thënë tutje Ahmeti.

SHPËRNDAJE