AKR tregon kushtin për koalicion

Kanë mbetur rreth një javë deri në seancën e radhës, e cila do të jetë vazhdim i seancës së parë konstituive, e filluar qysh nga data 3 gusht.

Ndonëse datë të saktë për seancë nuk ka, ajo pritet të mbahet me datën 6 ose 7 shtator, shkruan Indeksonline. Por, ende nuk dihet nëse kjo seancë do e përcaktojë fatin e institucioneve të ardhshme të vendit. 

Kjo për arsye se koalicioni PAN, i cili është fitues i zgjedhjeve të 11 qershorit, nuk ka arritur ndonjë marrëveshje me ndonjërën nga paritë parlamentare, për të bërë numrat e nevojshëm për votimin e kryeparlamentarit dhe qeverisë.

Sekretari i AKR-së, Vesel Makolli, i ka quajtur dezinformata lajmet e përhapura se një marrëveshje mes PAN dhe AKR është arritur.

Sipas tij, AKR është në bisedime me partnerin e koalicionit LAA-në dhe Vetëvendosjen, për të zgjedhur situatën e krijuar në vend.

“Nuk kam informacion dhe nuk ka bisedime sa e di unë. Informata e përhapur në media para dy dite ka qenë dezinformat dhe zoti Pacolli ka qenë jashtë vendit, kështu që nuk ka asgjë këtu. Bisedimet jemi duke i bërë me koalicionin ku jemi. Të gjitha ato që i ka thënë presidenti jonë, është se ne jemi në bisedime me LAA-në dhe VV-në, që të lëvizim nga vendi dhe situata që jemi”, tha Makolli.

I pyetur se sa është e mundur një marrëveshje me PAN-in në ditët në vijim, Makolli u shpreh se ajo është e mundur vetëm nesh bëhet fjalë për qeveri gjithë përfshirëse, por kurrsesi vetëm me PAN-in.

“Marrëveshje me PAN-in jo nuk do të ketë, por nga jashtë po shikohet veprimi i kuvendit tonë që me ja dhënë presidentit autorizimin për të krijuar një qeveri gjithëpërfshirëse, kjo është keqinterpretu sepse ky nuk është vendim për me kalu të PAN-i, por me e kriju një qeveri gjithëpërfshirëse”, shtoi tutje Makolli.

Ndonëse zyrtarët e AKR-së po e kundërshtojnë një marrëveshje me PAN-in, deputeti i NISMA-s, Zafir Berisha, gjatë ditës së djeshme, në një prononcim për Indeksonline ka thënë se qëndrimet mes AKR-së dhe PAN-it po përafrohen çdo herë e më tepër.

SHPËRNDAJE