Akuza të rënda për Bechtel Enka, “i trajton punëtorët si skllevër”

Deputetja e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu, ka reaguar pas vdekjes së sotme të një punëtori 41-vjeçar nga kompania Bechtel Enka.

Ajo ka thënë se kjo kompani i trajton punëtorët sikur të ishin skllevër, ndërsa ka shkruar se Kuvendi urgjentisht duhet të merret me këtë çështje.

Më poshtë shkrimi i plotë:

Edhe sot paska humbur jetën në vendin e punës një punëtor i Bechtel Enkes. Kjo kompani i trajton punëtoret sikur të ishin skllevër: me paga të vogla, me mungesën e kushteve për punë e me shkelje të të drejtave. Ndërkohë kjo kompani është favorizuar vazhdimisht nga Shteti.

Humbja e jetës në vendin e punës është bërë normale dhe çdo jetë e humbur po kalon në harresë. Qeveria e cila nuk brengoset për nivelin e lartë të papunësisë e varfërisë, nuk shqetësohet as për të drejtat e të punësuarve dhe hesht e nuk vepron as kur dikush nga ta humbet jetën. Qeveria nuk interesohet për jetën e qytetarit.

Janë dhjetëra punëtorë që kanë humbur jeten ne vendin e punës dhe askush, asnjëherë, nuk dha përgjegjësi. Inspektoriati i Punës duhet sa më parë të sjellë raport në Kuvend, në lidhje me vdekjet e punëtorëve në kompaninë Bechtel Enka dhe në kompanitë e tjera. Kuvendi urgjentisht duhet të merret me ketë çeshtje./Lajmi.net/

SHPËRNDAJE