Alarm për rrugën “Adem Ramadani” në Prishtinë: Një person po i ngacmon dhe po i rrahë gratë

Rruga “Agim Ramadani”, në Prishtinë është kthyer në një rrugë shumë të rrezikshme për gratë dhe vajzat. Ato po ankohen se po sulmohen fizikisht nga një person rreth të 30’ave. Thonë se i njëjti po i rrahë ato deri në alivanosje dhe akuzojnë policinë se nuk po merr masa ndaj të njëjtit. Ndërkohë në Policinë e Kosovës i kanë thënë Gazetës Express se një rast i tillë është raportuar vetëm dje, derisa shtojnë se me rastin po merret njësiti i hetimeve.
Gjithsej tetë raste të sulmeve ndaj grave dhe vajzave kanë ndodhur për vetëm një ditë në rrugën “Agim Ramadani”, në kryeqytet. Të gjithë këto gra e vajza po thonë se janë sulmuar nga një person rreth të 30’ve.

Deklarojnë se ai po i rrah gratë dhe vajzat, deri në alivanosje, dhe se asnjë prej kalimtarëve nuk po i ndihmon. Ndërsa, akuzojnë edhe Policinë e Kosovës se nuk po ndërmerr masa ndaj këtij personi.

Njoftimi për sulmet që po bën ky person janë shpërndarë në shumë grupe në rrjetin social Facebook.

“Për vajzat dhe gratë, një burrë rreth 20 ose 30 vjet, po sulmon gra e vajza në qendër të Prishtinës, përkatësisht në rrugën mbrapa teatrit dhe ka Ministria e Arsimit. Policia po e njeh kush është, nuk po ndërmarrin kurgjo. Keni kujdes…edhe harrojeni që ju ndihmon dikush nëse ndodhë, që katër raste po ndodhin edhe kërkush nuk ka ndërhy prej qytetarëve prezent me ndihmu kur janë sulmuar disa vajza e gra. Vet jemi, vet duhet me u mbrojtë”, është njoftimi që po shpërndahet.

E vetëm 20 minuta, pasi që ky shkrim ka filluar të shpërndahet, edhe katër gra të tjera kanë raportuar se janë sulmuar nga po i njëjti person.

Gazeta Express ka dërguar pyetje në Policinë e Kosovës për të marrë informata lidhur me këto raste, dhe për këtë person. Por, në Polici thonë se është raportuar vetëm një rast i tillë.

“Në stacionin policor qendra në Prishtinë është hapur një rast sulm, nga ankuesja femër e cila është sulmuar nga një person i dyshuar në rrugën Agim Ramadani në Prishtinë. Me rastin po merret njësiti i hetimeve’, thuhet në përgjigjet e Policisë drejtuar Gazetës Express.

Derisa nuk dhënë informata për veprimet e mëtejshme që do të ndërmerren ndaj këtij personi.

Ndryshe, vetëm deri në gusht të 2018’ës në vend janë raportuar 628 raste të dhunës në familje.

Por, në Polici thonë se në këto statistika përfshihen edhe rastet kur meshkujt janë viktima të dhunës. Megjithatë, ata janë në numër më të vogël.

Ndërsa, ata kanë shtuar se çdo rast që paraqitet në polici trajtohet në bazë të procedurave dhe të njëjtat procedohen në organet e drejtësisë.

“Raste e dhunës ne familje, trajtohen në baze te procedurave dhe te njëjtat procedohen në organet e drejtësisë. Çdo rast i tillë, pasi trajtohet, me aktvendim të prokurorëve kompetent, të dyshuarit e rastit dërgohen ose jo, varësisht nga rasti në Qendrat e Mbajtjes”, thuhet në përgjigjen e Policisë.

SHPËRNDAJE