Alarmon komandanti i NATO-s, Rusia po e merr Ballkanin

“Situata e sigurisë në Ballkan është shumë e brishtë dhe vendet e rajonit janë shënjestra kryesore të ndikimit malinj të Rusisë”, ka thënë komandanti i forcave të SHBA-së në Evropë, Curtis M. Scaparrotti, gjatë një dëshmie para Komitetit për Forca të Armatosura të Senatit Amerikan.

Scaparrotti, i cili gjithashtu është komandant Suprem i Aleancës i NATO-s në Europë, e ka quajtur Ballkanin një rajon me rëndësi strategjike përderisa ka folur para senatorëve edhe për bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Negociatat mes Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e raporteve dhe arritjen e një zgjidhjeje afatgjatë që është e zbatueshme për të dyja vendet, aktualisht janë pezulluar.

“Rusia e ushqen paqëndrueshmërinë rajonale në përpjekje për të parandaluar vendet e Ballkanit në përparimin e tyre drejt integrimit euroatlantik”, ka thënë gjeneral Scaparrotti, duke nënvizuar faktin se Moska e kundërshton njohjen e Kosovës si shtet sovran e përmes ndihmës politike, ushtarake dhe ekonomike mundohet të ruajë ndikimin e saj në Serbi.

Gjenerali e vuri theksin tek fakti që forca e NATO-s në Kosovë (KFOR), e cila përfshin mbi 3 500 trupa nga vendet anëtare të aleancës dhe shtete të tjera, luan një rol të rëndësishëm në ruajtjen e sigurisë dhe stabilitetit ne rajon.

SHPËRNDAJE