ALB Petrol shfrytëzohej për bixhos të paligjshëm, arrestohen dy persona

Në fund të muajit mars, Qeveria e Kosovës mori vendim për mbylljen e Lojërave të Fatit në Kosovë mirëpo, jo të gjitha ishin mbyllur asokohe. Së fundmi në Alb Petrol në Komunën e Podujevës, janë arrestuar dy persona, ku punonin në vendin që shfrytëzohej për bixhoz të paligjshëm.

Gazeta Insajderi, mëson se më 06 qershor 2019, Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, konkretisht në Njësinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Prishtinë, kanë pranuar një informatë sipas së cilës në FSH. Sekiraq, Komuna e Podujevës konkretisht në lokacionin “Njëri nga objektet përcjellëse të pompës së derivateve ALB-Petrol”, janë duke organizuar dhe duke punuar lojëra të fatit të cilat janë ndaluar të operojnë në Kosovë me vendim të Qeverisë.

Sipas informatave, në lokacionin e njëjtë që një kohë të gjatë operojnë lojëra të tilla të cilat janë të palicencuara, dhe në kundërshtim me ligjet e aplikueshme në vend.

Pas verifikimit të informatës kjo drejtori ka organizuar një kontroll të përbashkët më datën 07 qershor 2019, në lokacionin e lartpërmendur bashkë me Inspektoratin e ATK-së dhe Doganën e Kosovës. Me këtë rast, drejtoria bashkë me ATK dhe Doganën e Kosovës, kanë hasur në lokal të hapur ku ishin prezent dy persona të cilët edhe u arrestuan dhe u janë sekuestruara para në vlerë prej 6, 654, 00 euro.

Për këtë rast prokurori kujdestar, Nebahate Salihu, ka lëshuar aktvendim për ndalim për 48 orë ndaj të arrestuarve me inicialet F.B dhe L.B, për veprën penale “Organizim i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm”./ Insajderi.com

SHPËRNDAJE