Albert Bunjaki e zbulon në detaje përvojën e tij dhe të Kosovës me Adnan Januzajn

Adnan Januzaj ishte vetëm 16-vjeç kur iu kishte vënë pas Kosova. Ish ndihmëstrajneri i Kombëtares së Anglisë, Tord Grip, i thoshte përzgjedhësit kosovar, Albert Bunjaki, që Kosova nuk guxon ta humbas këtë lojtar. Bunajki bashkë me të ndjerin Fadil Vokrri ishin vënë në lëvizje për t’i takuar familjarët e Adnanit. Përkundër përpjekjeve të shumta për ta afruar në gjirin e Kosovës, Adnani ishte i paarritshëm për ta takuar. Bunjaki e kishte takuar njëherë, por ishte dëshpëruar. Krejt këtë histori Albert Bunjaki e rrëfen në detaje.

Adnan Januzaj këto ditë ka qëndruar në vendin e origjinës, në Kosovë. Futbollisti më i përfolur në mesin e shqiptarëve qe disa vjet nuk ka ardhur për t’iu bashkuar Kombëtares së Kosovës, por për ta shijuar ushqimin tradicional, flinë, dhe për t’u çmallur me jetën dhe traditat e zakonet shqiptare.

Me këtë rast, Adnan Januzaj vizitoi dhe u përkul pranë varrit të komandantit legjendar, Adem Jashari, dhe familjarëve të tij që pushojnë në varrezat e dëshmorëve të kombit në Prekaz. Vet Adnani e shpërndau një fotografi në rrjetet sociale teksa po shprehte respekt për dëshmorët dhe heronjtë e familjes Jashari.

Vizita e tij në Prekazin heroik bëri jehonë të madhe në mesin e shqiptarëve, te të cilët Adnan Januzaj kishte lënë përshtypje jo të mira. Ai i kishte krijuar vetës një imazh të tipit të ftohtë edhe kur në shprehje përkatësia kombëtare.

Krejt kjo për shkak se Januzaj nuk e kishte përfill thirrjes së tifozëve shqiptarë: “Adnan, thuaj po Shqipërisë. Eja ndero flamurin, atdheun, kombin”. Federata Shqiptare e Futbollit dhe ish selektori Gianni De Biasi e akuzonin atë dhe babain e tij, Abedinin, se po iu shmangshin të gjitha përpjekjeve të Tiranës për ta takuar dhe për t’ia bërë ftesën për t’iu bashkuar skuadrës kuq e zi.

Ndërkohë, Januzaj e kishte pranuar me të parën ftesën e Belgjikës, e cila sikur e “dogji” si futbollist, sepse futbollisti nga Istogu as sot e asaj dite nuk vlerësohet në skuadrën belge. Që nga viti 2014 Januzaj i ka regjistruar vetëm 11 paraqitje me belgët.

Përkundër kësaj, ai nuk e shfrytëzoi as shansin e dytë, duke e refuzuar edhe Kosovën, të cilës mund t’i bashkohej pas anëtarësimit në UEFA e FIFA, por që kishte zgjedhur sjellje të njëjtë edhe ndaj “Dardanëve” sikurse ndaj “Shqiponjave”.

Adnan Januzaj me babain e tij, Abedin Januzajn, nuk po i epnin shans as përzgjedhësit kosovar, Albert Bunjakit, i cili bashkë me kryetarin e ndjerë të federatës kosovare, Fadil Vokrri, po bënin përpjekje ta afronin në Kombëtaren e Kosovës që ishte në proces të ndërtimit.

Bunjaki disa herë e pati kritikuar sjelljen e Januzajt karshi përpjekjes së Kosovës për ta inkuadruar në gjirin e saj. Por, për herë të parë, për Gazetën Express, e rrëfen detajisht përvojën e tij dhe të Kosovës me Januzajn.

Ai tregon se Januzajn Kosova po e ndjektë që prej kohës kur lojtari ishte vetëm 16-vjeç. “Unë me kryetarin e ndjerë Fadil Vokrri bënim përpjekje që të binim në kontakt me familjarët e tij. Unë përmes mikut tim, po ashtu të ndjerë, Agim Binaku, e kisha siguruar numrin e telefonit të xhaxhallarëve të Adnanit dhe dy herë kam biseduar me ta. E kam pas shprehur interesimin dhe gatishmërinë të takohem me familjarët e Adnanit”, kujton Bunjaki.

“E takimi i parë me Adnanin ishte në një turne në Gjermani, ku unë e kisha dërguar zotri Tord Gripin, ndihmëstrajnerin, t’i vëzhgonte disa lojtarë me origjinë shqiptare. Zotri Grip më telefonoi dhe më tha: ‘Kush është ky Januzaj?’. Adnani ishte vetëm 16-vjeç dhe i kishte rënë shumë në sy. Grip më thoshte: ‘Këtë lojtar duhet ta marrim’”, rrëfen Bunjaki.

Por, nga atëherë, prej gjitha përpjekjeve për ta takuar, Bunjaki e kishte parë vetëm njëherë Adnan Januzajn. Por, as atëherë Januzaj nuk kishte treguar aspak respekt, sa që Bunjaki qasjen e futbollistit nuk mund ta kuptojë as sot e asaj ditë.

“Unë personalisht Adnanin e kam takuar në kalim në zhveshtoret e Manchester Unitedit pas ndeshjes së tij me Arsenalin, ku unë isha mysafir i klubit dhe i ftuar nga miku im, Marcus Svensson, që ishte trajner fizik në Arsenal”, tregon Bunjaki.

“Por, në atë moment nuk kam dashur të bisedojë me të sepse për mua ishte e qartë. Ne shqiptarët e kemi një traditë, që të trokasim në derë dhe nëse t’i nuk e hap derën unë nuk mendoja të hyja për dritare. Thjesht është e kaluar, por unë e kam respektuar dhe e respektoj vendimin e tij. Por, asnjëherë nuk e kam kuptuar sjelljen e tij ngase në fund të fundit është origjina e tij dhe për këtë duhet të jetë krenar që Kosova e dëshironte në gjirin e saj”, rrëfen ekskluzivisht për Gazetën Express Bunjaki, ish përzgjedhësi i Kosovës, i cili vlerësohet si meritor numër 1 që shumë futbollistë iu kishin bashkuar Kosovës në një kohë shumë të vështirë, me të cilët lojtarë skuadra verdh e kaltër tani po shkëlqen në arenën ndërkombëtare. /GazetaExpress/

SHPËRNDAJE