Albin Kurti e Isa Musafa po e duan Ramush Haradinajn kryeministër

Shkruan: Gazmend Morina

Kur po bëhen tre muaj nga mbajtja e Zgjedhjeve të Parakohshme, Kuvendin i Kosovës akoma nuk është konstituar, si pasojë e bllokadës politike të shkaktuar mes tri kampeve politike të cilat u formuar  në muajin maj.

Rezultati zgjedhor nxori fitues zyrtar koalicionin PAN, por për tri partitë (PDK, AAK dhe NISMA) kryesore që e formuan këtë koalicion ishte rezultat tepër dëshpërues, pasi që ato pretendonin të merrnin mbi 40 deputetë dhe së bashku me minoritet të mund ta formonin Qeverinë.

Të ndodhur para faktit se kanë vetëm 39 deputetë dhe pas marrëveshjes personale me Teuta Rugovën ky koalicion arriti që të ketë 60 deputetë, nëse këtu i llogarisin edhe deputetët minoritar. Por më pas partnerët e PAN-it vazhduan të gjejnë arsyetime banale duke kërkuar të përfitojnë në kohë dhe eventualisht të gjejnë partnerë tjerë për të bashkëqeverisur.

Mirëpo, VV-ja dhe koalicioni LAA arritën që ta pengojnë zgjedhjen e Kadri Veselit kryeparlamentar dhe rrjedhimisht penguan edhe konstituimin e Kuvendit dhe formimin e Qeverisë më në krye Ramush Haradinajn.

Por këto dy taborre politike nuk po gjejnë gjuhë të përbashkët që të lidhin një marrëveshje për të ecur tutje. Albin Kurti në shumicën e fjalimeve që deri më tash e ka sulmuar Kadri Veselin e Ramush Haradinajn, në të njëjtën kohë ka hedhur akuza të rënda edhe në drejtim të Isa Mustafës. Kjo pastaj ka shkaktuar kundërpërgjigjen e Isa Mustafës, i cili ka vazhduar me akuzat e vjetra ndaj Albin Kurtit dhe VV-së. Isa Mustafa duket se po e ndjek taktikën e VV-së, pasi që në të njëjtën kohë po e sulmon PAN-in dhe VV-në, kështu që nuk po shihet asnjë mundësi e një bashkëpunimi në mes të VV-së dhe LDK-së.

Në pat pozicion deri më tash ka mbetur lideri i AKR-së, Behgjet Pacolli, i cili nuk po ka kontroll të plotë mbi deputetin Labinot Tahiri, vota e të cilit mund ta bëjë Kadri Veselin kryeparlamentar dhe Ramush Haradinajn kryeministër.

Pacolli në gjithë këtë periudhë është ndodhur në pat pozicion, ani pse votat e tij janë të mjaftueshme që të formohet një shumicë qeverisëse me koalicionin PAN, po që ai ka zgjedhur disa herë t’i kërkoj LDK-së dhe VV-së të përafrohen në mes veti. Madje, u ka kërkuar edhe mbledhjen e 61 nënshkrimeve të deputetëve, ku katër nga ta ka thënë se do të jenë të AKR-së, në mënyrë që të mund të procedohet tutje me formimin eventual të Qeverisë pa PAN-in.

Siç e dimë edhe në seancën e fundit Kadri Veseli i kërkoj Albin Kurtit që t’i mbledh 61 nënshkrime, ku u zotua publikisht se do t’ia mundësoj zgjedhjen e kryeparlamentarit dhe kryeministrit, por që ish lideri i VV-së nuk mundi ta bëjë deri më tash.

Nga akuzat e mëdha që VV dhe LDK po hedhin në drejtim të njëra tjetrës, si dhe nga lënia anash e AKR-së dhe mos ofrimi i kurrfarë bashkëpunimi konkret në drejtim të sigurimit të 61 nënshkrimeve, shihet qartazi se këto dy parti nuk duan që të jenë pjesë e Qeverisë së ardhshme të Kosovës.

Në këtë mënyrë sidomos VV, pasi që LDK është në pushtet dhe asgjë s’po i ngutet, po ndikon indirekt që të formohet një qeveri me 63-64 numra nga Ramush Haradinaj, e cila në çdo kohë do të mund të shantazhohet nga Lista Serbe dhe secili partner tjetër i koalicionit dhe kështu të dështonte pas një apo dy vitesh.

Kjo do t’i ndihmonte VV-së që të fitoj shumë komuna në zgjedhjet e 22 tetorit, duke u promovuar si alternativa e vetme dhe në zgjedhjet e ardhshme, të cilat sipas traditës së deritanishme dhe duke pasur parasysh se deri në fund të vitit pritet të nisin arrestimet e para nga Gjykata Speciale, do të mbaheshin pas një apo dy vitesh.

I pa faj në këtë mes nuk është as lideri i LDK-së, Isa Mustafa, i cili nuk po dëshiron të hyj në koalicion me VV pa e marrë postin e kryeministrin. Ai e din se ky kompromis është i pamundur me VV-në, andaj po e përdorë vetëm si alibi para qytetarëve, për shkak se nuk dëshiron bashkëpunim me këtë parti, të cilës nuk ia falë gazin lot sjellës të hedhur në parlament, humbjen e Prishtinës në zgjedhjet e vitit 2013 dhe shumë akuza tjera, të cilat VV-ja i kishte bërë në drejtim të tij. Përndryshe, edhe pas rrëzimit të Qeverisë në fillim të muajit maj, Isa Mustafa po vazhdon të bashkëqeverisë me PDK-në, madje edhe duke emëruar ministra të rinj nga radhët e PDK-së.

Cili është rrugëdalja? PAN-i nuk po dëshiron assesi të shkoj në zgjedhje të reja, sepse sipas të gjitha matjeve të opinionit publik do të shënonte rënie edhe më të madhe të votave dhe do të rritej VV-ja. Rruga e vetme për PAN-i është koalicioni me AKR-në, parti me të cilën nuk po merren aspak LDK-ja dhe VV-ja, duke e shtyrë kështu që të shkoj në koalicion, ani pse Pacolli disa herë u ka kërkuar lidhjen e një marrëveshje mes tyre.

Seanca e radhës është paralajmëruar për të enjten apo të premten, ku deri në atë ditë do të ketë koalicion apo sigurim të numrave nga PAN-i, ose do të hyjmë në ditët kritike në të cilat opsioni kryesor është shkuarja në zgjedhje të reja së bashku me ato parlamentare, e të cilat do t duhej të shpalleshin deri më 22 shtator.

(Autori është kryeredaktor i portalit Veriu.info)

SHPËRNDAJE