Albin Kurti tregon sa zëvendëskryeministra do t’i ketë Qeveria e Kosovës

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje njëherësh edhe kandidati kryesor për kryeministër, Albin Kurti, ka thënë se njëra ndër pesë koncesionet për të arritur marrëveshje me Lidhjen Demokratike të Kosovës është të jenë dy zëvendës kryeministra.

I ftuar në emisionin ‘Jeta në Kosovë’, Kurti tha se VV i ka bërë pesë koncesione për të arritur marrëveshjen për koalicion qeverisës.

‘Tashmë mund të them që i kemi bërë 5 koncesione, i pari është harmonizimi i programit, e dyta është që do të ndahet 50 për qind qeveria me nga 5 ministri, e treta është thënë që duhet t’i kemi ose një ose dy zëvendëskryeministra, i kam lënë të zgjedhin, kanë thënë dy por i pari të jetë i LDK’së.

E katërta është që kanë zgjedhur si të zgjedhim sepse motivi ka qenë që doemos të zgjedhin të parët. E fundit është që të gjitha takimet që kam pasur unë, formati dhe koha janë të përcaktuara nga partneri i ardhshëm qeverisës’, tha Kurti.

Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje është optimist sa i përket formimit të koalicionit me LDK’në për Qeverinë e re, gjë që e tha edhe gjatë mbrëmjes së sotme në këtë emision.

Kujtojmë se gjatë qeverisë së kaluar me në krye Ramush Haradinajn, kanë qenë gjithsej tre zëvendëskryeministra, Fatmir Limaj, Enver Hoxhaj dhe Behgjet Pacolli njëherësh edhe ministër në detyrë i Punëve të Jashtme.

SHPËRNDAJE