Albulena Haxhiu pendohet për dorëheqjen nga Vetëvendosje, rikthehet për t’i zgjidhur problemet!

Deputetja e Vetëvendosjes Albulena Haxhiu, ka bërë me dije se ajo është kthyer në Kryesinë e Vetëvendosjes, pasi kishte dhënë dorëheqje nga pozita e saj në muajin shtator.

Në një postim në Facebook, Haxhiu thotë se ‘këtë veprim e mori pasi Kryesia e VV’së u ka bërë thirrje të gjithë anëtarëve që kanë dhënë dorëheqje, ta shqyrtojnë vendimin e tyre’.

“Javën e shkuar, në mbledhjen e fundit të Kryesisë është marrë vendim që të gjithë anëtarët që kanë dhënë dorëheqje nga Kryesia, të shqyrtojnë vendimin e tyre me mundësinë e rikthimit. Duke pasur parasysh rrethanat, unë e konsideroj të drejtë këtë vendim. Gjatë kësaj kohe Lëvizja ka kaluar në periudha jo të lehta dhe qytetarët në forma të ndryshme na kanë shprehur shqetësimet e tyre mbi atë çfarë po ndodh në Lëvizje. Meqë jemi duke kaluar këtë periudhë jo të lehtë, është e qartë se sfidat nuk rregullohen duke hequr dorë por duke u angazhuar drejtpërdrejtë e aktivisht. Dorëheqja ime ka ndodhur në muajin shtator të vitit të kaluar, por sot jam më e qartë se kurrë mbi atë çka ka ndodhur e çfarë po ndodh në Lëvizje, prandaj e kam rishqyrtuar vendimin tim”, ka shkruar Haxhiu në Facebook.

Ajo u ka bërë thirrje edhe të dorëhqurve tjerë që ta bëjnë të njëjtin veprim, duke shtuar se ‘javët në vazhdim’ janë mjaft sfiduese për vendin.

Haxhiu përmend çështjen e demarkacionit dhe Gjykatën Speciale, duke thënë se ‘bashkërisht mund të ndalohen projektet e dëmshme për vendin”

“Unë do të jem në mbledhjen e ardhshme të Kryesisë dhe do të angazhohem në zgjidhjen e problemit, kudo në secilin organ dhe mendoj që ata aktivistë e anëtarë që ja duan të mirën Lëvizjes, duhet të veprojnë njësoj sepse këtë ua kemi borxh qytetarëve dhe aktivistëve. Jashtë demokracisë së brendshme dhe organeve të zgjedhura vendimmarrëse nuk mund të ketë asnjë lloj zgjidhje për cilëndo sfidë. Gjatë javëve në vazhdim, ne na presin sfida të mëdha përfshirë këtu demarkacionin e Gjykatën Speciale dhe vetëm duke u përpjekur bashkërisht, ndalohen projektet e dëmshme për vendin dhe Lëvizja rritet e fuqizohet!”, ka shkruar ajo./Periskopi/

SHPËRNDAJE