Aleksandër Lumezi – ky avokat i Marjan Demës

Para 15 muajve është dorëzuar në Prokurorinë Themelore të Prishtinës – Departamenti për Krime të Rënda – kallëzimi penal kundër rektorit të UP-së Marjan Dema, dekanit Ethem Çeku, sekretarit të Fakultetit të edukimit Milaim Mazreku, sekretarit të UP-së Esat Kelmendi. Sipas kallëzimit penal të kallëzuarit kanë kryer shumë vepra penale në dëm të UP-së dhe të personave të caktuar si: Falsifikim i dokumentit zyrtar nga Neni 434 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës; keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar nga Neni 422 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës; cenim i të drejtave të punësimit dhe papunësisë nga Neni 222 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës; moslajmërim i veprave penale apo kryerësve të tyre nga neni 386 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës; legalizim i përmbajtjes së rreme nga neni 403 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Mirëpo, tash 15 muaj ky kallëzim penal pushon në sirtarët e prokurorisë, sepse intervenimi korruptiv i Marjan Demës me kolegë për të stopuar avancimin e hetimeve ka hasur në mirëkuptim të plotë të Aleksandër Lumezit dhe njerëzve të tij. Në të kundërtën, kallëzimit penal do t’i jepej një përgjigje, aq më parë kur disa nga veprat e kryera kanë vazhduar të kryhen edhe brenda këtyre 15 muajve dhe të kallëzuarit i janë kërcënuar kallëzuesit.

Dhe përgjigja e vetme e mundshme do të ishte ngritja e aktakuzës – sepse shkeljet janë aq të rënda dhe janë aq qartë të argumentuara me dosje të trashë, sa që çdo lëvizje e prokurorisë çon në ngritje të aktakuzës për të kallëzuarit. Prandaj, heshtja kaq e gjatë e prokurorisë nuk tregon tjetër, përveç se Aleksandër Lumezi nuk e kryen rolin e për të cilin e paguan shteti, por kryen rolin e avokatit të Marjan Demës, Ethem Çekut dhe të gjithë të kallëzuarve të tjerë në kallëzimin penal të theksuar.

Autori Shukri Klinaku, është profesor në FSHMN në UP

SHPËRNDAJE