Ambasadori amerikan: Vushtrria model për komunat tjera për transparencën dhe llogaridhënien

Pas inaugurimit të investimit të përbashkët të USAID-it dhe Komunës së Vushtrrisë në ristrukturimin dhe rimodelimin e Zyrës së prokurimit publik, me qëllim të rritjes së transparencës në prokurim publik, ambasadori i SHBA-ve Philip Kosnett, ka theksuar se Komuna e Vushtrrisë duhet të shërbej si model edhe për komunat tjera sa i përket transparencës dhe luftës kundër korrupsionit, transmeton Gazeta Online Veriu.info.

“Komuna e Vushtrrisë është një shembull për të gjitha komunat e Kosovës, prandaj ne do të vazhdojmë bashkëpunimin e ngushtë me këtë komunë edhe në të ardhmen. Janë pikërisht qytetarët ata që përfitojnë më së shumti kur ka një bashkëpunim të ngushtë mes komunës dhe shoqërisë civile, që është edhe çelësi i suksesit në Vushtrri”, ka deklaruar shefi i diplomacisë së SHBA-ve në Prishtinë, ambasadori Philip Kosnett, i cili gjatë qëndrimit në Vushtrri ishte i shoqëruar edhe nga drejtoresha e USAID-it, Lisa Magno.

Nga ana tjetër, kryetari i Komunës, Xhafer Tahiri, ka vlerësuar bashkëpunimin e ngushtë dhe mbështetjen që populli, ambasada e SHBA-ve dhe USAID-i i kanë dhënë Komunës së Vushtrrisë, me qëllim të rritjes së transparencës dhe llogaridhënies në punën e saj. “Dua të falënderoj USAID-in dhe shoqërinë civile për vlerësimin e tyre, që Komuna e Vushtrrisë është ranguar Komuna e parë në Kosovë për sa i përket transparencës në prokurim publik, dhe tani ne duam që të ngrisim edhe më tej këtë standard që të shërbej model edhe për të tjerët”, ka deklaruar kryetari Tahiri.

USAID-i, përmes aktivitetit “Komuna Transparente, Efektive dhe Llogaridhënëse,” dhe Komuna e Vushtrrisë e bashkëfinancuan rinovimin e Zyrës së Prokurimit të Komunës, duke e pajisur komunën me pajisje për vlerësimin dhe hapjen e ofertave që i ndihmojnë komunës që t’i modernizojë dhe profesionalizojë këto procese kryesore të prokurimit dhe të ofrojë hapësirë adekuate për ta mundësuar një mjedis pune transparent gjatë procesit të hapjes dhe vlerësimit të ofertave. Me instalimin e monitorëve televizivë në komunë, të gjithë qytetarët dhe komuniteti i biznesit në veçanti tani procedurat e hapjes së ofertave mund t’i shohin në kohë reale.

Ky nivel i ri i mbikëqyrjes qytetare siguron që komuna t’i ndjekë procedurat e duhura dhe t’ua mundësojë qytetarëve që ta vëzhgojnë mënyrën se si qeveria komunale i shpenzon paratë e tatimeve që i paguajnë qytetarët.

Për më tepër, qëllimi i realizimit të këtij rinovimi është që të shtohet efikasiteti dhe efektiviteti i stafit të komunës për t’iu përmbajtur rreptësishtë afateve kohore gjatë zhvillimit të aktiviteteve të prokurimit, auditimit dhe burimeve njerëzore, duke i minimizuar shpenzimet procedurale dhe duke e shtuar transparencën dhe efikasitetin.

  • ETIKETIMET
  • 1
SHPËRNDAJE