Analisti politik e parashikon: Për dy arsye, mund të mos shpërndahet Kuvendi më 22 gusht

Përfaqësuesit e partive opozitare kanë shprehur shqetësimin e tyre se PDK-ja do të tentojë që në 12 ditët e mbetura para seancës ta bëjë pazarin e ri për zgjedhjen e një kryeministri pa shkuar fare në zgjedhje.

Por në rast se ka përpjekje për t’u realizuar ky skenar, ata kanë paralajmëruar mobilizim të qytetarëve.

Për dallim prej PDK-së, AAK-ja dhe Nisma i kanë deponuar tashmë nënshkrimet e deputetëve të tyre. “Ne i kemi dorëzuar dje nënshkrimet si grup parlamentar dhe më 22 gusht presim që të mbahet seanca e jashtëzakonshme, në të cilën do të votohet shpërndarja e Kuvendit. Besoj se deputetët do të votojnë për shpërndarjen”, ka thënë kryetari i Grupit Parlamentar të AAK-së Ahmet Isufi.

AAK-ja sipas Ahmetit është deklaruar vazhdimisht për zgjedhje, ndaj nuk pranon në asnjë formë ndonjë opsion tjetër që del jashtë kësaj.

Kurse shefi i Grupit Parlamentar të Nismës Socialdemokrate, Bilall Sherifi, është shprehur i bindur se Nisma do t’i marrë 10 ulëse në Kuvend pas zgjedhjeve. “Shkojmë drejt zgjedhjeve të parakohshme me bindje të plotë se në legjislaturën e VII Nisma Socialdemokrate do të jetë e përfaqësuar me 10+ deputetë”, ka deklaruar ai teksa ka njoftuar se ky subjekt ka deponuar nënshkrimet për seancë.

Edhe deputeti i PSD-së Faton Topalli ka bërë të ditur se ky subjekt i ka dorëzuar nënshkrimet e deputetëve të saj për seancën e 22 gushtit. Sipas tij, ekziston një pajtueshmëri e subjekteve për ta çuar vendin drejt zgjedhjeve të reja.

Pavarësisht deklarimit të partive se janë pro zgjedhjeve, njohësit e çështjeve politike konsiderojnë se ekzistojnë gjasat që shpërndarja e Kuvendit të mos ndodhë fare. “Shpërndarja e Kuvendit, për shkak të interesave të ndryshme, por edhe të ndikimit ndërkombëtar, mund edhe të mos ndodhë”, ka deklaruar politologu Belul Beqaj për “Zeri”.