Analisti politik: Kurti të mos e humb shansin për t’u bërë kryeministër, pavarësisht lojërave që mund t’i bëjë LDK-ja

Mosbesimi i thellë ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, mund të çojë në dështimin e marrëveshjes për bashkëqeverisje.

Të pakten kështu konsideron njohësi i çështjeve politike Imer Mushkolaj.

Sipas Mushkolajt, pozicionet kundërshtuese ndërmjet dy subjekteve politike mund të zbutën me një zgjidhje kompromisi, “që nënkupton lëshimin pe te të dy partive”, u shpreh ai.

“Në këtë rast, Albin Kurti duhet të veprojë, që të mos e humb shansin për t’u bërë kryeministër, pavarësisht lojërave që mund t’i bëjë LDK-ja. Ai nuk duhet të lejojë që të dalë nga loja”, tha Mushkolaj.

Tutje, ai shtoi se vullneti i shumicës së qytetarëve ka qenë që këto dy parti të krijojnë qeverinë dhe ky vullnet duhet respektuar.

Ndryshe, që nga certifikimi i rezultateve të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 6 tetorit nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve Lëvizja Vetëvendosje, si fituese e këtyre zgjedhjeve dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, janë duke bërë përpjekje të vazhdueshme për arritjen e një koalicioni qeverisës.

Deri më tani liderët e të dy partive, Albin Kurti dhe Isa Mustafa janë takuar 8 herë me synimin për të përmbyllur një marrëveshje për koalicion, por përpjekjet e deritashme kanë qenë të pasuksesshme./Gazeta Blic/

SHPËRNDAJE