Analisti politik serb: Pas humbjes së luftës, Serbia u pajtua edhe me humbjen e Kosovës

Jovanoviq konsideron se kjo do të paraqesë mbyllje të përhershme të “çështjes së Kosovës”, dhe ka vlerësuar se në këtë proces rol vendimtar do të kenë SHBA.

Në një intervistë për Insajder.IN, ai ka theksuar se “është me rëndësi të përkujtohet se Kosovën e ka humbur presidenti i atëhershëm i RFJ Sllobodan Millosheviq në vitin 1999, pas humbjes së luftës me NATO-n, dhe se pas ndryshimeve demokratike të 5 tetorit pasardhësi i tij Vojisllav Koshtunica, në koordinim me kishën, akademinë dhe agjenturën ruse, u pajtua me humbjen e Kosovës”.

Ai ka shtuar se edhe Boris Tadiq u pajtua me këtë në vitin 2004 kur u zgjodh për herë të parë president i Serbisë.

“Mirëpo, sot një pjesë e opozitës, një pjesë e qeverisë, një pjesë e kishës, një pjesë e akademisë dhe një pjesë e universitetit në mënyrë konstante përsërisin, se përkundër atyre, presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq diçka po shet, dorëzon apo tradhton”.

“E përsëris, Vuçiq nuk ka humbur, dorëzuar e as tradhtuar asgjë. Ai po shpëton çfarë mund të shpëtohet. Nëse arrin marrëveshje me Kosovën, Serbia, por edhe të gjithë në rajon do të kenë për çfarë të shpresojnë, në të kundërtën, ju siguroj, do të jemi Kamboxhë apo Laos ballkanik”, ka thënë Jovanoviq.

Për atë se cila është ardhmëria e Serbisë, a do të kthehet kah Perëndimi apo kah Lindja, apo do të jetë një lloj ure për këto dy opsione, Jovanoviq ka thënë se Serbia është në rrugë për në Evropë, po hapen kapituj të negociatave, po vijnë investime të huaja nga vendet e BE, por kur do të jetë Serbia anëtare e plotfuqishme e BE, nuk varet vetëm nga ajo.

Ai pretendon se, sipas mendimit të tij, “për Serbinë është më me rëndësi miratimi i standardeve dhe vlerave të BE sesa vet data e hyrje”./Insajderi.com.

SHPËRNDAJE