Analisti politik tregon nëse LDK i ka votat për formimin e Qeverisë

Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për dekretin që presidenti, Hashim Thaçi, i dha Avdullah Hotit për kryeministër, pritet që Qeveria e re e udhëhequr nga Lidhja Dekomratike e Kosovës të votohet brenda ditësh.

Por, sipas analistit politik Arton Demhasaj, kushtet për votim janë plotësuar që pas publikimit të vendimit nga Kushtetuesja, por se deklaratat e zyrtarëve të LDK-së se po presin publikimin e aktvendimit nga Kushtetuesja, janë mënyrë për të blerë kohë për t’i siguruar votat e nevojshme.

Analisti shton se për shkak të pasigurisë së partisë për sigurimin e shumicës së votave, nuk po rrezikojnë dështimin që çon në zgjedhje.

“Zyrtarët e LDK-së deklaruan se do ta presin vendimin e plotë të Gjykatës Kushtetuese e pastaj ta thërrasin seancën, kjo nuk ka qenë e nevojshme të ndodhë, por me gjasë janë akoma duke diskutu me emra për shkak të numrave dhe kjo është edhe arsyeja pse po e presin vendimin, sepse përndryshe nuk ka pasur nevojë të pritet, sepse ai vendim kur është publiku, është zyrtar dhe përfundimtar.

Janë të pasigurtë në numra dhe janë duke diskutu akoma, qoftë me AKR-në apo edhe me deputetë të tyre për votën pro apo kundër dhe prandaj janë duke ble kohë me këtë, derisa të jenë të sigurtë se i kanë numrat, që kur të hyjnë në seancë të mos dështojnë sepse dështimi mund ta dërgojë menjëherë vendin në zgjedhje”.

“Çështja është tek disa deputetë të LDK-së të cilët janë deklaruar se nuk do ta votojnë qeverinë dhe këta janë dy të sigurt, nëse janë vetëm dy atëherë do të ketë shumicë të mjaftueshme për me u votu, por nëse ka më tepër se dy deputetë të LDK-së që nuk do ta votojnë, atëherë LDK-ja do të ketë nevojë edhe për votat e AKR-së”, thekson ai.

E, një reagimi të mundshëm bllokues të seancës nga Lëvizja Vetëvendosje, Demhasaj nuk e sheh të mundshëm, pasi thotë se peticioni me nënshkrime që kanë nisur e eliminojnë atë mundësi.

“Ndoshta mund të ketë telashe, ose tentime me e blloku seancën nga VV-ja por nuk besoj, pasi që VV veç ka fillu një peticion me nënshkrime për të kërkuar zgjedhje, kështu që reagimi i tyre nuk po duket të jetë bllokues”, tha Demhasaj.

Demhasaj: Hoti e ka marrë mësimin nga praktika për dialogun me Serbinë

Sa i përket Qeverisë së re Hoti dhe sfidave me të cilat do të përballet, pas krizës financiare, dialogu do të jetë prioritet i pashmangshëm për të.

“Sigurisht që kriza financiare dhe ekonomike që e ka kaplu edhe tërë botën, do të jetë sfidë edhe për Qeverinë Hoti, por sfida kryesore do jetë dialogu me Serbinë. Është e pashmangshme që Qeveria Hoti menjëherë ka me pasë nevojë që menjëherë të hyjë në procesin e dialogut me Serbinë”, shtoi ai.

Demhasaj ka thënë se Hoti e ka marrë mësimin nga kryeministri i kaluar, Ramush Haradinaj dhe tash Albin Kurti, kryeministër në detyrë, në raport me dialogun dhe kërkesat e Uashingtonit.

Sipas tij, Hoti do t’i përgjigjet pozitivisht kërkesave të tyre dhe do të heqë masat e vendosura ndaj Serbisë.

“Dialogu fillon menjëherë, Qeveria Hoti ka me qenë e obliguar me heqë reciprocitetin menjëherë që me i hapë rrugë dialogut. Z. Hoti e ka mësuar mësimin shumë mirë nga praktika që e ka pa se çka ndodhë nëse ke me pasë një rezistencë të tillë, sidomos ndaj kërkesave të Uashingtonit.

Është shumë e qartë, kërkesa e Uashingtonit është me u heqë reciprociteti dhe me u kthy në dialog dhe me gjasë qysh në ditën e parë Qeveria Hoti ka me e bë këtë, përndryshe nuk do të mund të funksionojë”, tha ai

SHPËRNDAJE