Analizë nga Shpend Gudaqi: Pse fitoi Vetëvendosje?

6 tetori solli ndryshim. Këtë herë me të vërtetë, ngase PDK si eksponentë e përhershme e koalicioneve në pushtet për mëse një dekadë, tash do të jetë në opozitë. Befasi apo pritshmëri reale rezultati i 6 tetorit, është fare e parëndësishme.

Dramatizimin banal e primitiv të politikës e rezultateve zgjedhore do t’ua lëmë meraklive të senzacionit.

Në këtë copë shkrimi do të mundohemi që të trajtojmë rrethanat që nxorën rezultatin e këtyre zgjedhjeve. Themi do të mundohemi sepse nuk pretendojmë që do të jemi të saktë, ndryshe nga analistët që flasin me bindje profetike, por ia huqin në shumicën e herave.

LËVIZJA VETËVENDOSJE

Fitoi më në fund. Albin Kurti, lideri i Vetëvendosjes, do të bëhet Kryeministër, sepse kështu duan qytetarët. Konsistenca e Vetëvendosjes në parimet dhe bindjet e veta politike, u përqafua nga qytetarët, edhe si nevojë për të shpëtuar nga krimi e korrupsioni, por edhe si bindje se ajo përfaqëson modelin më të përshtatshëm qeverisës për situatën tonë ekonomike dhe politike. Një grup rebelësh që nisën aktivitetin politik duke kundërshtuar projektet e imponuara ndërkombëtare, si dhe krimin e korrupsionin e politikanëve vendorë si pasojë, nesër do të jetë Qeveri e ardhshme, pavarësisht propagandës së pandalshme kundër tyre për vite me radhë.

Vetëvendosje fitoi sepse është e pastër nga krimi dhe korrupsioni, këmbëngulëse në qëllimet e veta kombëtare e shtetërore dhe dukshëm më intelektuale e progresive në politikat që përfaqëson dhe vizionin për shtetin modern që duhet ta kemi. Pa dyshim, kjo është arsyeja kryesore, pra substanca e fitores së saj. Ka edhe arsye të tjera periferike por të rëndësishme, siç është fushata e mirëorganizuar, ku Albin Kurti pati paraqitje jashtëzakonisht të mira në teren, të kombinuara me fjalimet e kujdesshme, përmbajtësore e shpresdhënëse, duke i hequr nga letra rreshtat apokaliptik. Kurti e ka kuptuar se në fushata duhet pranuar këshillat e profesionistëve, dhe kështu ka bërë në këto dy të fundit, pra në fushatën e vitit 2017 dhe atë të vitit 2019.

Negativiteti i tepruar në fjalime, sado real që të jetë për situatën tonë, shqetëson qytetarët, sidomos këta tanët, ndërkohë që imazhi (dukja) ka një rëndësi shumë të madhe se si do të perceptohesh prej tyre. Pra, Kurti foli bukur, u vesh bukur, qeshi më shumë, lëshoi hajgare të këndshme në tubime e paraqitje televizive, por nuk kapërceu kufirin, sepse edhe kjo mund të jetë e rrezikshme nëse ia tepron. Ai dukej i sigurt dhe i bindur se do të fitojë dhe se Vjosa Osmanin do ta bënte kryeparlamentare. PSD-në nuk e bëri hesap për hiçgjë, siç nuk e bënë hesap as qytetarët. Foli shumë shkurt për ta, vetëm kur pyetej me insistim të gazetarëve, por edhe në ato pak herë që foli, i goditi rëndë dhe i skualifikoi nga gara zgjedhore. Për PDK-në foli edhe më pak, sepse ajo fliste mjaftueshëm për veten; premtonte luftë kundër krimit dhe korrupsionit. Të dashur lexues, kështu fitohen zgjedhjet!

LIDHJA DEMOKRATIKE E KOSOVËS

Pa Vjosa Osmanin, LDK garën do ta bënte me PDK-në dhe jo me Vetëvendosjen. Lëvizje e mençur dhe e nevojshme kandidimi i Vjosa Osmanit për Kryeministre, por jo e mjaftueshme. Me siguri, sikur Vjosa Osmani ta kishte fituar betejën brenda partise, me gjasë do të fitonte edhe garën zgjedhore.

Qytetarët e kuptuan se diçka nuk shkonte me Vjosa Osmanin. Lutfi Haziri i rrinte si stupc mbi krye asaj kudo që shkonte, sepse kështu vendosi partia dhe ky ishte konsensusi. Vjosa Osmani nuk duhej që të pranonte konsensuse të tilla, por është dashur që të kandidojë për kryetare të partisë dhe të shkaktojë një tërmet të brendshëm për t’i shkundur nga degët e larta njerëzit obstruktivë. Keq shumë, sepse angështia e saj për shkak të situatës së rëndë në LDK, reflektohej në paraqitjet që i bënte në tubime e televizione. Megjithatë, jo për faj të Vjosa Osmanit, LDK ka trashëguar një të kaluar të shëmtuar politike.

Disa herë ka tradhtuar votuesin e saj, duke i çuar votat te PDK e Hashim Thaçit. Askush nuk mund të garantonte që kjo parti nuk do ta bënte të njëjtën gjë, sikur të dilte e para. Disa zyrtarë me pushtet të madh në LDK kanë një afinitet të çuditshëm për të bashkëpunuar lezetshëm me PDK-në. Nevoja e tyre për PDK-në është sikur ajo e një alkoolisti në rehabilitim për një gotë raki. Kjo vërehet edhe me parehatinë që e shprehin publikisht për koalicionin që do të ndodh me Vetëvendosjen. Paramendoni të njëjtit sikur LDK të ishte e para në zgjedhje; koalicioni me Vetëvendosjen do të ishte i pamundur.

Ndodhi kjo që ndodhi, LDK përkundër se rriti votat në përgjithësi, humbi ngusht ndaj Vetëvendosjes. Vjosa Osmani, bashkë me Kujtim Shalën, Lumir Abdixhikun, e të tjerë politikanë të një fryme më progresive, duhet ta marrin drejtimin e LDK-së, duhet ta bëjnë guximshëm atë betejën e paevitueshme që duhet bërë brenda partisë.

Janë politikanë të rinj e të pastër, kundërshtarë të hapur e të dëshmuar të së keqes dhe si drejtues të LDK-së, një ditë mund të fitojnë në zgjedhje dhe ta drejtojnë edhe shtetin.

PARTIA DEMOKRATIKE E KOSOVËS

Në këtë fushatë, PDK u tha partive të tjera, mos shani më sepse do ta shajmë ne veten dhe qytetarët. Pra, shini budallakinë tonë sepse asgjë s’keni parë deri tani. Premtimi për luftë kundër krimit dhe korrupsionit nga partia që i mbolli këto dukuri, të trembte fillimisht, për t’u dukur gërditshëm qesharake më pas. Pse të trembte? Pas mohimit të fajit, PDK shkoi edhe më tej, tha se do ta ndëshkojë fajtorin. Një pushtet i këtillë të bjerrë shpirtërisht, ta shembë arsyen si mekanizëm i vetëm për të argumentuar e komunikuar, të dhunon psiqikisht.

Po të mos kishte zgjedhje, e vetmja mundësi që do të mbetej për t’iu qasur një idiotizmi të tillë do të ishte shkelmimi i tyre prej pushtetit. Një qytetari e përparuar, një parti të tillë do ta ndëshkonte edhe më rëndë. Nuk është se ka pasur diçka gjeniale në premtimin kryesor të PDK-së për luftë kundër krimit dhe korrupsionit, siç pandehin disa, por ka pasur gatishmëri sadiste për të luajtur disi argëtueshëm edhe më tej me qytetarët. Nuk duhet të impresionohemi nga gatishmëria e partive për të qenë sa më të këqija, kjo gjë është e gabuar.

PDK është partia që mbanë përgjegjësinë kryesore për shumë krime të pasluftës, për shumë krime ekonomike, për shitjen e aseteve kombëtare në procese korruptive, për dobësimin e pozitës së Kosovës kundrejt Serbisë, duke i lëshuar pe skajshmërisht asaj në mënyrë që ndërkombëtarët të mos e ndalnin që ta vjedhë shtetin. Ka shumë të këqija që i ka shkaktuar Kosovës, dhe për krejt këto të bëma, është e çuditshme se si ende arrinë të marrë mbi 20% të votave. PDK ka korruptuar shumë media, analistë, OJQ, personalitete të ndryshme të jetës publike, ka kapur Drejtësinë dhe shumicën e institucioneve kruciale të shtetit.

E kuptueshme që rënia e saj shkakton ankth e frikë, sepse lëkundet piramida e rehatisë e privilegjeve të padrejta, por kjo gjë duhet të përfundojë; jo për inat, por sepse drejtësia duhet të vihet në vend. Vartësve të saj duhet t’u mësohet dinjiteti dhe t’u jepet mundësia që të fitojnë e jetojnë ndershëm. PDK i ka humbur zgjedhjet shumë vonë, përkundër se arsyet i kishte të forta, jo vetëm për të përfunduar në opozitë, por edhe për të dhënë përgjegjësi para drejtësisë qe disa vite. Ka shumë probleme kjo parti, vështirë t’ia fillosh diku. Shpresojmë që opozita do ta kthjellë.

KOALICIONI AAK-PSD

Dy ditët e fundit të fushatës Ramush Haradinaj u vrenjt në fytyrë. Jo se e lëshoi energjia, sepse dihet që ka mjaftueshëm, por sepse duhet të ketë kuptuar diçka për rezultatin e mundshëm që do ta korrte partia e tij. AAK, pa PSD-në, sipas sondazheve para fushatës pati rritur votën e saj. Shpresonte që do të mblidhte 18%-20% të votave në Kosovë. Haradinaj si Kryeministër arriti ta fuqizojë imazhin e tij, përkundër se ishte në Qeverisje me PDK-në. Kishte krijuar një energji pozitive që shpresonte se do t’i shpërblehej në zgjedhjet e 6 tetorit.

Megjithë defektet në Qeveri, Haradinaj projektin e tij qeverisës e koncentroi tërësisht në kundërshtimin e ndarjes së Kosovës. Dorën në zemër, Haradinaj ka bërë një qëndresë stoike karshi këtij projekti dhe e ka penguar suksesshëm atë. Taksa ishte një element në krejt këtë luftë që po e bënte. U çuan të gjithë defetistët e të korruptuarit në këmbë duke i thënë që të lëshojë pe, por ai nuk e tradhtoi qytetarin e as shtetin e tij. Në fund e thirrën në Gjykatë Speciale për ta intervistuar, si formë e re shantazhi pas këmbënguljes së tij që projektet e rrezikshme të mos zbatohen dhe dha dorëheqjen për ta zhvleftësuar këtë shantazh.

Por çfarë ndodhi? Menjëherë pas dorëheqjes, Haradinaj me një entuziazëm të veçantë trokiti në zyrat e PSD-së, duke i ftuar për bashkëpunim, në kohën kur kësaj partie jo që s’i trokiste kush në derë, por as nuk ia hapte kur i luste për bashkëpunim (bie fjala LDK). Nuk e analizoi mirë situatën Haradinaj, sepse PSD-së ia bëri një ofertë gjeneroze vetëm si akt i një vullneti të mirë për mbështetjen që ia kishte dhënë në disa raste gjatë qeverisjes së tij. PSD gjasat i kishte zero që ta kalojë pragun dhe në mungesë të alternativave “më të mira” u detyrua të hyjë në gjirin e AAK-së, anipse aty nuk ka ndonjë simpati të madhe për Haradinajn e AAK-në, për arsye të ndryshme, por edhe motive krejt lokaliste. Kjo e theu energjinë që Haradinaj me mund e kishte krijuar në Qeverisje dhe qytetarëve nuk iu pëlqeu ky koalicion.

Figurat e PSD-së shihen si politikanë të zhvleftësuar pas daljes nga Vetëvendosje. Ish partia e tyre, ku përkisnin, Lëvizja Vetëvendosje suksesshëm i ka demonizuar dhe ka shkatërruar potencialin politik që e përfaqësonin dikur. Dalja e tyre e shpejtë, e paqartë, e orkestruar edhe sot mbetet enigmë, përkundër se janë munduar të japin arsyetime për këtë veprim, por gjithçka që thonë duket e e paqëndrueshme dhe kontraverse. Megjithatë, këtij koalicioni i ka munguar edhe një strategji e mirë për fushatën dhjetëditore. E nisi shumë herët e me zhurmë të madhe, por pa artikulim të mirë. Shumë materiale, shumë takime, shumë fjalime, një fletushkë me 100 zotime, një tjetër me program zgjedhor.

Pakëz e komplikuar. Video të panumërta në faqen e Haradinajt, pa ndonjë renditje e ndërlidhshmëri mes vete. Në emisione shfaqeshin vetëm përfaqësuesit e PSD-së, të cilët kërkonin egërsisht të përlaheshin me zyrtarët e VV-së, deri aty sa Dardan Molliqaj sulmoi fizikisht Haki Abazin. Pas kësaj, Vetëvendosje ua bëri bllok dhe këta mbetën duke folur me veten, ndërkohë që prezantohej shumë pak vizioni i koalicionit e zyrtarët e AAK-së nuk shiheshin kund. Haradinaj është politikan tejet origjinal, shprehet në gjuhën e popullit dhe i ka hije kjo gjë, por edhe ai duhet të marrë këshilla se cilat tema t’i rreh më fortë. Ndoshta duhet që edhe Haradinaj, sikur Kurti, t’i pranojë këshillat e profesionistëve për paraqitjet publike dhe AAK ta organizojë më mirë fushatën dhe të mendojë më mirë për koalicionet që i lidhë.

Më shumë se sasia e materialeve në zgjedhje, me rëndësi është përmbajtja dhe efketiviteti i tyre. AAK ka rritur votat në këto zgjedhje, por ka dalë larg pritshmërive.

KOALICIONI NISMA-AKR

Në këto momente kur po shkruhet kjo analizë, shkruesi e pranon që ka një dëshirë të madhe që ky koalicion të mos bëhet pjesë e Kuvendit të Kosovës. Pa ndonjë motiv personal, me arsye shumë parimore e dashuri të madhe për shtetin. Po të dalësh në shehër dhe ta harxhosh pak kohë me elitën e lokaleve të kryeqytetit, që impresionohen vetëm nga aftësia e keqbërjes së partive politike, dëgjon fjalë admirimi për aftësinë e Nismës për të manipuluar me procedurat, tenderët, punësimet e për të mashtruar në institucione. Thonë që është më e aftë se PDK në këto aspekte, dhe sipas disa njerëzve, për këtë gjë ajo meriton respekt. E çuditshme! NISMA dhe AKR kanë një votë tërësisht klienteliste.

Askush që nuk përfiton prej tyre nuk ua jep votën, e as të gjithë ata që përfitojnë prej tyre, nuk ia dhanë votën, prandaj po përpëliten për pragun. Janë parti destruktive. Me një përfaqësim tërësisht të blerë, ata marrin pushtet të madh në Qeveri dhe krijojnë hapësirë për të zhvilluar korrupsionin, punësimin e militantëve, kurdisjen e tenderëve e krime të tjera. Nëse dështojnë që të hyjnë në Kuvend, ky do të ishte një lajm i mirë për shtetin tonë. Fundja, Kuvendit do t’i kthehej estetika dhe nuk do të ndotej nga fjalime banale si të Milaim Zekës e fjalime monotone si të Bilall Sherifit.

Por duket se dikush ka një interesim të madh që ata të kalojnë, në mënyrë që të përdoren për destruktivitet në Qeverinë e ardhshme dhe që të zvogëlohet numri i deputetëve të VV-së e LDK-së. Prandaj po ririririnumërohen votat. Si duket do të numërohen derisa të jenë të mjaftueshme që të kalojnë. Për AKR-në, çfarë të thuhet, aty kanë mbetur vetëm vëllezërit Pacolli. Më shumë ngjan në një kompani për mirëmbajtje parqesh se në një parti.

SHPËRNDAJE