Anëtari i KQZ-së: Ja kur nis numërimi i votave me kusht!

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve tashmë ka procesuar 100 për qind të votave në të gjitha vendvotimet në Kosovë. Mirëpo, në këto rezultate nuk janë përfshirë votat me kusht, i atyre me postë dhe personave me nevoja të veçanta. Numërimi i tyre, sipas anëtarëve të KQZ-së, pritet që të bëhet të enjten ose të premten.

Votat me kusht, ato të personave me nevoja të veçanta si dhe votat e diasporës pritet që t’i nënshtrohen procesit të votimit të enjten ose të premten. Kështu ka deklaruar sot për Express, anëtari i KQZ-së nga radhët e PDK-së, Ilir Gashi.

Gashi ka deklaruar se momentalisht KQZ-ja është duke e pritur procesimin e të gjitha materialeve me votat e rregullta. Pas kësaj ai thotë se partitë dhe kandidatët e subjekteve politike mund t’i paraqesin ankesat e tyre rreth procesit të balotazhit. E kur të gjitha këto të përfundojnë, Gashi thotë se do të numërohen votat me kusht.

“Ne jemi duke pritur që të përfundojë procesimi i të gjitha materialeve të rregullta, pastaj afatet e ankesave duhet të përfundojnë. Te ankesat varet prej asaj se çka propozon PZAP-i. Pa përfunduar procesi i ankesave të rregullta, nuk mundemi të vazhdojmë me kusht. Kjo varet krejt nga ankesat dhe sa shpejt PZAP-i do të kthejë përgjigje. Nëse nuk ka shumë brenda 4-5 ditëve nëse nuk ka ankesa ne do të procedojmë. Të enjten apo të premten po presim nëse gjithçka shkon në rregull”, ka thënë Gashi për Express.

E ndërkohë në disa nga 19 komunat ku është mbajtur raundi i dytë i zgjedhjeve për kryetar të komunave në Kosovë, përfshirë këtu qendrat e mëdha si Prishtina dhe Prizreni, përqindja e kandidatëve është e ngushtë. Subjektet politike në vend si në Prishtinë ashtu dhe në Prizren po presin përmbysje të rezultatit pas përfundimit të votave me kusht. Në Prishtinë, kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje Shpend Ahmeti ka fituar 50,19 ndërkaq, kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arban Abrashi ka fituar 49,81. Ndërkaq, kandidati i Vetëvendosjes në Prizren Mytaher Haskuka ka fituar 50,32 për qind, ndërkaq kundërkandidati i tij nga Partia Demokratike e Kosovës, Shaqir Totaj ka fituar 49,68 të votave.

Balotazhi i së dielës në Kosovë është vëzhguar nga më shumë se 12 mijë vëzhgues nga partitë politike, organizatat joqeveritare, nga Bashkimi Evropian si dhe ambasadat e akredituara në Prishtinë. /Express/

SHPËRNDAJE