Anëtari i VV-së: Ne as nuk shitemi e as nuk dorëzohemi

Anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje në Tiranë, Elvis Hoxha, e ka komentuar takimin e bashkëpartiakut të tij, Xhelal Sveçlës, me Marko Gjuriqin. Ai po thotë se anëtarët e partisë së tij as nuk shiten, as nuk dorëzohen.

Hoxha ka shkruar në Facebook se në fotografinë e publikuar, përveç Sveçlës aty ishin edhe Arban Abrashi i LSK’së dhe Ardian Gjini i AAK’së.

Në statusin e tij, ai shton se përfaqësuesit e VV’së do të jenë gjithnjë e më shumë nëpër tryeza të tilla.

“Qarkulloi një foto ku Xhelal Sveçla shfaqet ngjitur me Gjuriçin. Ngjitur me Sveçlën, por me shpinë është Arban Abrashi, jashtë fotos por ngjitur me të është Ardian Gjini, mes Xhelal Sveçlës dhe Gjuriçit është një prej drejtorëve të CIG-ut, i cili ngrihet e ulet shpesh.

Personi me syze është drejtuesi i CIG-ut. Natyrisht që foto manipulon. Natyrisht që përfaqësues të Lëvizjes do të jenë gjithnjë e më shumë në këto tryeza”, ka shkruar Hoxha.

Ai shton se VV’ja nuk i ka merak pazaret dhe nuk kanë komplekse inferioriteti, pasi sipas tij kjo parti as nuk shitet, as nuk dorëzohet.

“Natyrisht që ne do të shqetësohemi me njerëzit që do të shohim përballë. Çështja është se sa të bindur jemi në atë që kemi si qëllim. Më vjen mirë, për sa më takon, për kërkesën e lartë morale dhe politike që kanë qytetarët ndaj Lëvizjes.

Kërkesa të tilla nuk i kanë patur më parë. Ne nuk kemi as merak pazaresh e as kompleks inferioriteti. Ne as nuk shitemi e as nuk dorëzohemi.

Ajo që më shqetëson është kur njerëz që kanë votuar tradhtarët dhe kolaboracionistët vijnë e të bëjnë patriotizëm”, shkruan ai.

SHPËRNDAJE